Mançester Junajtid, përtej lojtarëve të rinj që po merr, duhet t’i ndërthurë patjetër me individë me eksperiencë. Manuel Mata është një nga lojtarët, që i përfundon kontrata këtë verë. Ofertat drejt një lojtari si ai nuk mungojnë. Por, sipas “The mirror”, spanjolli e ka hequr nga mendja idenë e largimit.
Ai po mendon të rinovojë. Drejtuesit e Junajtid kanë bërë ofertën e tyre financiare dhe Mata duket se e ka marrë në konsideratë. Projekti i ri ambicioz i Solskjaer është një tjetër provë bindëse, që e çon mesfushorin drejt idesë së rinovimit me “Djajtë e Kuq”.
Junajtid është në prag të një revolucioni të madh. Që nga largimi i Ferguson, çdo tentativë për t’u ngjitur në majë është përballur me murin e dështimit. Drejtuesit kanë besim në punën e Solskjaer dhe i kanë dhënë të gjitha kompetencat në dorë. Trajneri mendon se pjekuria e Matës është jetike për ekipin.