Shkëlzen Ruçi është gati të nisë një aventurë të re. Ditë më parë portieri nga Elbasani u përshëndet me gjirokastritët, të cilët më pas zyrtarizuan ndërprerjen e bashkëpunimit. Së fundmi “gardiani” ka tërhequr edhe lejekalimin dhe tashmë nuk ka asnjë pengesë të firmosë në ekip tjetër.
Luftëtari i detyrohet atij dy rroga, që portieri do t’i marrë së shpejti, sikurse pjesa tjetër e skuadrës. Palët kanë shtrënguar duart dhe Ruçi pritet të vendosë shpejt se ku do të aktivizohet sezonin e ardhshëm. Ofertat nuk i mungojnë dhe janë disa, nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Sportekspres.com mëson se Trim&Lum Struga interesohet për portierin, kurse në Kosovë Llapi është një nga klubet që garon për shërbimet e portierit. Gjithashtu edhe Gjilani i drejtuar nga Gentian Mezani e kërkon portierin.
Interesim për të ka edhe nga Superiorja dhe Ruçi po mendohet mirë se ku do ta vazhdojë karrierën. Në të shkuarën ai është aktivizuar edhe me Elbasanin e Bylisin në Superiore.