Trajneri i Korabit, Dorian Bubeqi deklaroi për SportEkspres.com se ka ditë që ndodhet në Itali për të vëzhguar disa lojtarë, të cilët i mendon për Korabin në sezonin e ri. Teksa skuadra e sezonit të kaluar është pushim, Bubeqi thekson se 90% e saj mendohet të jetë baza për vitin tjetër. Në bisedën telefonike, Bubeqi nuk tregon për emra konkretë që po vëzhgon në Itali, por vetëm se kjo ishte një dëshirë e tij e plotësuar nga presidenti i Korabit, Fehmi Mëziu.
SITUATA – “Kjo është kohë pushimi për lojtarët, por ne si staf, bashkë me presidentin Fehmi Mëziu po vazhdojmë punën. Kemi qenë gjithë kohën në veprim për të plotësuar sa më mirë vendet e atyre lojarëve që nuk do jenë më pjesë e Korabit për sezonin e ardhshëm. Duam që këtë sezon të krijojmë një skuadër të denjë dhe konkurrente me elementë që të garantojnë synimet tona”.
MERKATO – “Në merkaton e kësaj vere ne do përqendrohemi kryesisht në Kategorinë e Parë, por unë kam disa ditë në Itali ku po shikoj për disa lojtarë në Serinë C dhe D, të cilët mund të jenë të vlefshëm për Korabin. Nga ekipi i sezonit të kaluar do mbajmë mbi 90% të lojtarëve, dhe Presidenti është i gatshëm të plotësojë kërkesat e mia, sepse synimi madhor është Superliga”.
SYNIMET – “Për sezonin e ri, synimi ynë madhor është Kategoria Superiore, ndaj kemi nisur që tani bisedime me disa lojtarë cilësorë në Kategorinë e Parë, por edhe këtu në Itali. Me disa thuajse kemi arritur marrëveshje dhe kur të nisim nga përgatitjet emrat e tyre do ti zyrtarizojmë. Fazën përgatitore kemi menduar që ta nisim me skuadër të kompletuar”.
AGRON KAJA