Kosova do të përballet me Malin e Zi sonte prej orës 20:45, ndërkohë që trajneri Bernard Shaland nuk do të ketë të gatshëm lojtarë si Herolind Shala, Valon Berisha dhe Hekuran Kryeziu. Të tre këta mesfushorë janë të dëmtuar dhe mungesat e tyre rëndojnë, por trajneri zviceran mendon se duhet të flitet për ata që janë grumbulluar.
Edhe Amir Rrahmani ka pasur probleme ende mbetet në dyshim për ndeshjen e sotme, ndërkohë që Dresheviç dhe Ibrahimaj nuk mund të luajnë për shkak se nuk kanë plotësuar ende dokumentacionin. Situata është ndryshe për Florent Hadergjonajn.
“Hadergjonaj do të jetë i gatshëm që të paraqitet për Kosovën në takimin kundër Malit të Zi dhe është në formë të mirë. Shiriti i kapitenit? Kemi humbur katër kapitenë, por kapiteni nuk është problemi kryesor. Vendos për kapitenin sot”.
MURIÇ – Portieri Arijanet Muriç, ka zgjedhur Kosovën para Malit të Zi dhe Shaland deklaron: “Është speciale, por jo edhe aq. Kemi disa lojtarë që kanë luajtur edhe për Shqipërinë, pastaj për Kosovën dhe anasjelltas. Ka edhe shumë lojtarë kosovarë që kanë lindur në Kosovë, por luajnë për Shqipërinë. Pra nuk është edhe aq speciale”.
ZHEGROVA – Sulmuesi anësor i Bazelit shpesh është në shënjestrën e mediave. Shaland tregon raportin e tij me sulmuesin. “Me Edonin gjithçka po shkon mirë, do të flas me të për çdo gjë. Ai është një djalë i ri dhe mjaft i guximshëm. Ka një te ardhme të ndritur, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Është i ri”.