Policia spanjolle ka organizuar një mega operacion, duke arrestuar shumë emra të njohur të futbollit iberik. Liga kishte njoftuar prej mbi një viti për aktivitetin e një grupi kriminal, që merrej me fiksimin e ndeshjeve dhe vendosjen e basteve.
Në pranga ka përfunduar edhe Agustin Lasaosa, i cili mban postin e presidentit të Hueskës, ekip që këtë sezon garoi në La Liga. Kreu i organizatës ishte Raul Bravo, ish-mbrojtësi i Realit të Madridit gjatë viteve 2003-2007.
Përveç tyre janë arrestuar edhe Borja Fernandez (Vajadolid), Samu Saiz (Getafe), Inigo Lopez (Deportivo La Korunja) dhe Huan Karlos Galindo (shefi i stafit mjekësor të Hueskës).
Akuzat që rëndojnë mbi këto persona janë: fiksimi i ndeshjeve, vendosja e basteve, përfshirja në një organizatë kriminale, korrupsioni midis individëve dhe pastrimi i parave.