Një ndër “arkitektët” e rrugës drejt titullit kampion të Partizanit ka qenë drejtori sportiv Olsi Rama. Në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, Rama analizoi sezonin e bërë nga skuadra dhe foli mbi planet e së ardhmes.
“Unë mund ta nis duke thënë që ka qenë një fat i madh që kam punuar me këtë grup, me presidentin Gaz Demin që është dhe miku im, pasi më ka krijuar kushte të mira për të punuar. Kam qenë me fat që kam punuar me këta djem, me trajnerin Gega. Kemi bërë një punë të madhe, që në fillim i kemi ndarë detyrat. Kemi dhënë çdo gjë për klubin, për objektivin tonë. Objektivi ynë nuk ka qenë të dalim kampion, por të rriteshim sa me shumë. Kjo përpjekje e jona, solli rezultatet, pasi dihet kur punon dhe kur ke brumë, rezultatet vijnë. Shpresoj që në të ardhmen të arrijmë edhe më shumë suksese”,
“As ne vetë si Partizan nuk i kemi bërë gjërat perfekte, kemi bërë gabimet tona gjatë rrugës, por shpresoj t’i rregullojmë. Këtë vit, kemi qenë më të qetë dhe kemi arritur të mbajmë presionin larg ekipit. Unë nuk mendoj se të merresh me gjërat e jashtme, janë frytdhënëse. Nuk është se Partizani nuk ka qëllim të bëjë polemika. Një klub i madh si Partizani duhet të mbrojë të drejtën e vet, imazhin e tij dhe tifozët. Ka qenë meritë e jona që jemi shkëputur me pikë nga rivalët dhe e kemi bërë kampionatin më të qetë”.
“Ekipi i ka pushimet shumë të merituara, pasi duhet një energji e jashtëzakonshme të luash katër faza, 36 ndeshje në Superligë. Të mos harrojmë se kemi pasur dhe dy faza përgatitore në verë vjet. Këta djem, duhet të shkojnë te familja e tyre dhe të shijojnë pushimet, për të qenë sa më të gatshëm për sezonin e ardhshëm.
“Kur fituam titullin në derbi kundër Tiranës, kam qenë shumë më i ngarkuar. Tani, sigurisht është faza e nxehtë kur merren vendimet për përforcimet, por puna ka nisur me kohë. Ne e dimë shumë mirë që kundërshtarët që do të kemi përballë do të jenë të fortë, pasi shorti na vë në krahun e dobët. në planet e mia, nuk është të ndërton një ekip për Champions League apo Europa League, po për sezonin e ardhshëm në kampionat”, përfundoi Rama.