Kilian Mbape do të jetë lojtar i PSG edhe për sezonin e ardhshëm. Ylli francez krijoi një “mjegull” rreth të ardhmes së tij në ceremominë e marrjes së çmimit si lojtari më i mirë në Ligën e parë. “Ka ardhur koha të marr më shumë përgjegjësi, këtu ose në një vend tjetër”, qe shprehur Mbape.
Kjo situatë krijoi një shqetësim të madh tek tifozët e Parisit. Klubit francez i është dashur të dalë në një vendim zyrtar për të ardhmen e lojtarit. Në deklaratë thuhet se është fakt që Mbape do të jetë lojtar i PSG në sezonin e ardhshëm. “Mbape është i lidhur me ne edhe për të paktën dy vite të tjera. Është e sigurt se do të jetë këtu në sezonin e ardhshëm. PSG dhe Mbape kanë synimin e përbashkët për të shkruar historinë e futbollit evropian”, shkruhet në deklaratën e Parisit.
Kjo lëvizje e Mbape mund të shihet në disa kënde. Nga njëra anë të bën të mendosh se egziston bashkimi me Zidan tek Reali i Madridit. Lojtari qe shprehur se i pëlqen shumë të punojë me teknikun francez, megjithatë është i kontraktuar me PSG dhe do ta ndjekë Realin si tifoz.
Në anën tjetër kjo deklaratë e Mbape kërkon të tregojë se presidenti Al Kelaifi duhet të investojë për të rritur prestigjin e Kilian në klub. Një rritje page në nivelin e Nejmar dhe marrja e figurës së liderit mund të jenë synimet e asaj “rrufeje” në qiell të hapur.