“Sikur na ka rënë një vdekje, s’i ndal dot aleancat”, Mema lëshon kushtrimin

Ardian Mema nuk fshihet, Tirana e tij nuk ishte ku duhet në ndeshjen me Kastriotin. Shpirti i garës së lojtarëve të tij ka lënë për të dëshiruar dhe e thotë hapur, ndërkohë që i rikthehet temave të aleancave.  Në deklaratën e dhënë për mediat pas ndeshjes me Kastriotin, trajneri i bardhebluve flet për mbijetesën, ndeshjen e radhës me Laçin, mungesën e tifozëve dhe përgjegjësitë e tij.

Profesor, pas këtij barazimi si e shikoni situatën?
-Situata nuk është e mirë. Kemi edhe këto dy ndeshjet e radhës. Me Kastriotin e konsideruam si finale, por nuk ishte e tillë për ne. Kjo sepse lojtarët nuk dhanë atë që duhet të jepnin në fushë, sidomos në aspektin e shpirtit të garës. Kjo është ajo pjesa që më ka shqetësuar shumë, karakteri sportiv i futbollistëve. Lojtarët duhet të kenë një përqendrim më të mirë, si dhe shpirt gare. Kjo është ajo pjesa që më ka lodhur që në fillim të them të drejtën. Megjithatë të shohim ndeshjet në vazhdim, pasi asgjë nuk ka marrë fund. Do i bëjmë hyzmetin deri në fund.

Gjithsesi mbetet në duart tuaja e gjitha.
-Në dorën tonë është e gjitha, por të them të drejtën në ditët në vazhdim do shoh se ku mund të ndërhyjmë e çfarë do bëjmë. Na pret një ndeshje shumë e vështirë me Laçin. Do mundohemi të bëjmë maksimumin tonë që të marrim rezultat pozitiv.

I druheni aleancave pas shpinës së Tiranës?
-E kam shpreh edhe herë të tjera. Kur të mbarojë kampionati do i them. Aleanca ka, edhe ka pasur. Unë jam i qetë te pjesa ime, që ne nuk na ka falur njeri. Deri këtu jemi me forcat tona.

Do shkoni në Laç, ku këtë vit nuk keni arritur as të barazoni.
-Normalisht është fushë e vështirë. Laçi është një ekip i ndërtuar mirë, me djem të rinj që luftojnë shumë. Duhet të bëjmë edhe ne maksimumin tonë. Ne nuk shkojmë të dorëzuar në Laç.

E keni përmendur shpesh fatin, që këtë herë ishte me Tiranën. Kastrioti i kishte rastet. Mendoni se lojtarët duhet të marrin përgjegjësi dhe nuk duhet t’ia lënë fatit këto ndeshje?
-Të them të drejtën edhe sot është kështu si thoni ju. Gjithsesi edhe ne i kemi pasur rastet tona, dy momente me Hasanin dhe Ngonë. Nuk e gjykoj vetëm nga rastet lojën. Ne nuk luajtëm mirë, në gjykimin tim.

Çfarë u thatë djemve në fund?
-Nuk u kam thënë asgjë, thjesht u futa te dhoma ime dhe po mendoja. Nuk është momenti për të folur apo për të qenë i nervozuar, pasi lojtarët ishin vetë të nervozuar. Gjithsesi u tha edhe nga lojtarët me eksperiencë, por edhe nga pjesëtarë të stafit, që asgjë nuk ka marrë fund. Kemi ndeshjet në vazhdim dhe do të shikojmë se si do t’i përgatisim këto ndeshje.

Kastrioti gëzoi shumë pas barazimit, por edhe ata kanë kalendar të vështirë goxha.
-Këto janë ato të çuditshmet, që gëzohen para kohe. Nuk e kuptoj këtë pjesë. Edhe po ta fitoja ndeshjen nuk do të gëzoja. Kjo sepse matematika i mban në lojë. Nëse duan të tolerohet, le të bëhet. Nuk jam i fuqishëm për ta ndaluar diçka të tillë.

E quan si shenjë këtë?
-Edhe mund të jetë. Më ngacmove pak me këtë pyetje dhe kujtoj këtu ndeshjen që na u grabit ne në Fushë-Krujë, e pa i gjithë opinioni sportdashës, edhe gazetarët e të gjithë. Ne nuk i grabitëm gjë njeriu. Deri këtu jemi me këmbët tona.

Nëse para ndeshjesh ju thonin se kjo do të ishte paraqitja e Tiranës, do ta besonit?
-Jo. Kjo ka qenë një nga paraqitjet më të këqija që kemi pasur. Këtë herë që duhet të kishim një përformancë të mirë, që duhet të kishim vrull, dëshirë e të gjitha, ne nuk bëmë ato që duhet. Flas për dy ndeshjet e fundit, ku e njëjta situata ka qenë.

Në lidhje me mungesën e tifozëve, çfarë mund të na thoni?
-Tifozët kanë një lidhje të fortë me ekipin, por edhe ata janë të zhgënjyer. E kanë prej nesh dhe marr përgjegjësitë e mia për këtë pjesë. Kurse rasti konkret ishte për faktin se mund të ndodhte ndonjë skenar, që dikush të futej në fushë. E saktësoj që jo tifozët tanë, por ndoshta kundërshtarët. Kjo mund të bënte ndonjë dëm të pariparueshëm.

Personalisht i donit tifozët?
-Unë i doja, i kam dashur gjithmonë. Ndeshja pa tifozë është si muzikë funebër.

Merrni gjithmonë përgjegjësitë, por a merr përgjegjësi presidenti…
-Derisa kam pranuar të vij te Tirana, e kam pranuar kështu siç është. Përgjegjësitë e mia janë të parat, marr të miat për çdo lloj rezultati. Kështu e kam gjetur Tiranën, nuk është ekip që e kam ndërtuar unë. E kam pranuar dhe sa kohë e pranoj marr përgjegjësitë e mia. Jam munduar të punoj dhe mendoj se kemi bërë shumë punë, pasi kemi bërë ndeshje të bukura dhe kemi fituar ndeshje. Gjithsesi nëse del negative kjo punë, unë do marr përgjegjësitë e mia. Me miqtë e mi flas përherë dhe është sikur na ka rënë ndonjë vdekje. Kam lidhje shpirtërore me këtë klub dhe uroj që çunat në ndeshjet në vazhdimësi do na e heqin këtë lloj stresi dhe të shohim përpara.

DENIS LALA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *