Largimi i Daniele De Rosit pas plot 18 sezonesh është çështja kryesore në ambientin e Romës. Shumë polemika janë hapur, me tifozët verdhekuq që janë kthyer kundër klubit, ndërsa në mediat italiane kanë shpërthyer lajmet që largimi i kapitenit është vendosur nga drejtuesit dhe jo nga vetë ai apo trajneri Ranieri.
Pikërisht ky i fundit ka folur ditën e sotme përpara mediave, ku ka diskutuar gjatë mbi çështjen “De Rosi”. Sipas numrit një të stolit të Romës, vendimi nuk u mor nga ai, me Ranierin që shtoi se nëse do ishte në dorën e tij, do ta mbante ende mesfushorin në ekip.
“Kur tifozët më kërkuan shpjegime për vendimin e marrë, i sigurova që nuk ishte vendim i imi. Nuk kam folur ende me të dhe nuk e di nëse do të luajë ndaj Sasuolos. E shoh mirë dhe të motivuar, edhe pse me siguri do të jetë i thyer nga brenda. Ndoshta edhe gjumë nuk ka fjetur këto netë.
Është normale për dikë si ai, që është një flamur këtu. Drejtuesit dhe klubi mund të ndryshojë, njësoj si lojtarët. Është ligj i futbollit. Ndoshta Daniele bëri më të mirën për Romën, duke mos thënë asgjë tjetër. Të jesh kapiten dhe të dashurohesh nga tifozët, të bën të kesh një sjellje tjetër. Nëse unë do kisha qëndruar? Si një teknik futbolli do të thoja që më bënte punë si lojtar dhe do ta doja në ekip.
E njoh një lojtar, një burrë dhe një kapiten. Ka shumë mënyra për të qenë lider në futboll, De Rosi është lideri ideal për një trajner. Gjithmonë mendon për ekipin dhe jo për egon personale, gjë që çdo trajner e kërkon te lojtarët e tij. Shpresoj që të jetë një festë e madhe ndeshja ndaj Parmës që t’i jepet lamtumira më e bukur e mundshme.”