Sulejman Starova, trajneri i Laçit, pas ndeshjes me Kastriotin në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi: “Humbën një mundësi të shkonim të tretët, ndaj ka rënduar lojtarët. Fitorja do na ngjiste lart. Kemi pasur disa dëmtime, kishim pak alternativa. Kishte edhe lodhje të disa lojtarëve. Ishte nën nivel kjo paraqitje, në krahasim me ndeshjet që kemi bërë këto dy muaj”.
“Tërheqja e skuadrës në pjesën e dytë? Vuajtëm edhe për topin e dytë, ishim afër si skuadër, por nuk e mbajtëm topin. Kemi pasur shqetësime fizike dhe nuk kishim freskinë e duhur. Edhe mungesa e tifozëve është një anë tjetër që ndikon”.
“Mungesa e golave? Ju flisni me shifra për golat e shënuar. Por kemi pasur rritje këto dy muaj. Sigurisht kemi disa lojtarë që kanë vlera, por nuk mund ta gjej vetëm te sulmuesit. Nuk është vetëm faji i tyre. Duhet pjesëmarrje edhe e të tjerëve, edhe e mbrojtësve të krahëve. Është një problem për t’u zgjidhur për të ardhmen”.
“Europa? Llogaritë bëhen në fund, ka konkurrencë të madhe. Ata nuk morën maksimumin, ashtu si ne. Këtë javë kemi mundësi të çlodhemi dhe të marrim si të tjerët tre pikët në tavolinë. Lufta do jetë e ashpër deri ditën e fundit”.
“Krosimet nga krahët nuk i bëjnë vetëm Xhixha e Shtubina. Normalisht një dorë ta japin edhe mbrojtësit. Një gjendje më e mirë fizike do e ndryshonte paraqitjen, sigurisht edhe publiku. Në fund e pësuam nga një gabim, por barazuam. Me tifozët do ishte ndryshe. Të dyja skuadrat bënë një ndeshje të luftuar. Humbëm një shans për vendin e tretë”.