Egnatia rikthehet në shtëpi dhe këtë herë do të ketë edhe mbështetjen e publikut. Dënimi i dhënë nga Disiplina para pak muajsh është shlyer dhe në Rrogozhinë do kenë mundësinë të shohin futboll. Mysafir do të jetë Bylisi i vendit të parë, që sezonin e ardhshëm do të garojë në elitë.
Para kësaj ndeshje ka folur për SportEkspres.com mesfushori Abaz Karakaçi, i cili kërkon që ta mundin ekipin ballshiot. “Egnatia nuk ka dalë nga gara, kemi edhe tre ndeshje për të luajtur. Me Bylisin duket si një sfidë luksi për ne, por unë e quaj të vështirë dhe me një kundërshtar të fortë. Do bëjmë detyrën për synimin maksimal, fitoren. Kjo është plotësisht e mundur”, u shpreh shkodrani.
Më tej Karakaçi shton: “E nisëm mirë sezonin dhe kishim objektiva të tjera, por problemi i pagave na e uli ritmin duke lënë disa pikë të vlefshme, si ato me Orikumin dhe Besën. Gjithsesi, me kujdesin e presidentit tonë, Nuredin Beqiri, natyrisht edhe me ndryshimin e stafit, ajo gjendje ka kaluar e tashmë ndjehemi se kemi shumë për të dhënë në këtë fund sezoni”.
AGRON KAJA