Partizani pret nesër Skënderbeun në “Selman Stërmasi”. Ekipi i Gegës kërkon të reagojë pas dy humbjeve rresht kundër Luftëtarit. Diferenca me Kukësin ndjekës ka mbetur 9 pikë, por “Demat” duan t’i japin fund çështjes së titullit kampion sa më shpejt të jetë e mundur.
Esat Mala nuk i bën dramë paraqitjet dhe rezultatet e fundit. Lodhja dhe ndonjë nënvlerësim i vogël kanë bërë të veten, por 20-vjeçari i bën thirrje shokëve të bashkohen dhe të rikthehen te fitorja kundër ekipit korçar.
Autori i katër golave në kampionat gjatë këtij sezoni nuk dëshiron të replikojë me Alban Bushin. Trajneri i Shqipërisë U21 “thumboi” lojtarin e kuq, duke deklaruar se me kombëtaren nuk bëhet shaka, ndërsa Mala ndihet krenar që vesh bluzën e kombit të tij.
Dëmtimin shpreson që ta ketë lënë pas, ndërsa mungesa e Telushit rëndon. Vlonjati mungon në fushën e blertë, por sidomos jashtë saj. Ai arrin të karikojë Partizanin si askush tjetër, ndërsa detyra e “Demave” është rikthimi te fitorja, çka do të thotë një hap më shumë drejt titullit kampion.
MOMENTI – “Këto ndeshjet e fundit është e vërtetë që rezultatet nuk kanë qenë sikurse i kemi pritur, por normalisht jemi një ekip që kemi treguar se dimë të reagojmë. Presim reagimin nga i gjithë ekipi. Ndoshta ka ndikuar lodhja, ndoshta ngarkesa psikologjike. Besoj se varet edhe si marrin ndeshjet. Ka qenë një moment i keq i joni këto ndeshjet e fundit. Do bashkohemi çunat siç dimë, pasi kjo është ajo që na ka mbajtur në këto nivele. Besoj se do ringrihemi, duke nisur nga nesër kundër Skënderbeut.”
DEKLARATA E BUSHIT – “Nuk është momenti për të folur për atë temë. Mund të jetë keqkuptuar ndonjë gjë. Nuk është në karakterin tim të bëj gjëra të tilla. Jam krenar që përfaqësoj kombin tim dhe e kam ndër që vesh fanellën e kombëtares.”
FORMA – “Kam kaluar një dëmtim të lehtë le të themi, që më mbajti jashtë fushave për disa kohë. Besoj se e kam lënë pas krahëve dëmtimin dhe do jem 100 për qind i gatshëm.”
Mungesat e Telushit? – “Kuptohet, Telushi përveçse është një lojtar shumë i çmuar dhe i nevojshëm për ekipin, është po aq i nevojshëm edhe jashtë fushës me karakterin që ka. Fjalët e tij janë motivim për çunat.”