Samuel Umtiti ka arritur të rikuperohet pas disa muajve mungesë, por situata që ka gjetur nuk është aspak e favorshme për francezin. Bashkëkombasi i tij, Lengle ka përfituar nga mungesa e kampionit të Botës për të dhuruar paraqitje cilësore dhe për të fituar besimin e Valverdes.
Umtiti është kthyer në një zëvëndësues, çka ka shtuar dyshimet për një largim të tij, me Junajtid që qëndron pas dere. Francezi ka shfaqur një formë të dobët pas rikthimit. Sipas “Sport.es”, ai e di shumë mirë që i duhen minuta në këmbë për të rifituar kondicionin optimal. Barça nuk është e gatshme ta bëjë këtë në pjesën më delikate të sezonit dhe nuk është çudi që mbrojtësi të diskutojë largimin.
Hezitimi për të rinovuar kontratën dhe bisedimet e fshehura me Mançester Junajtid kanë lënë shije të keqe tek drejtuesit katalanas. Kujtojmë që edhe gjatë periudhës së dëmtimit, Umtiti kundërshtoi dëshirën e klubit për t’u operuar çka solli pasoja, që po i vuan tani.
Në treg janë shumë pak qendra të djathta me cilësitë e tij dhe Barça nuk do ta kishte të vështirë ta shiste në verë. Shifra minimale do të jetë 70 milionë euro. Ardhja e De Ligt do t’i shtonte shanset për një divorc mes mbrojtësit dhe ekipit blaugrana.