Sampdoria zhvilloi një ndeshje shumë të mirë përballë Milanit. Fitore e merituar për ekipin dorian, pavarësisht se arbitri i dënoi kuqezinjtë me gjykimin e tij. Dyshja e qendrës së mbrojtjes zhvilloi një ndeshje të madhe dhe “paralizoi” Kristof Piatek, sulmuesin kryesor të Milanit.
Joakim Andersen nga Danimarka dhe Omar Kolej nga Gambia përfituan për të bërë pak gallatë në rrjetet sociale. Vikingu postoi një foto gjatë ndeshjes, aty ku ishte ai dhe polaku i “Djallit”.
“Le të vazhdojmë betejën”, shkruan Andersen, ndërsa dallohet duke paralajmëruar sulmuesin e Milanit. Mes komenteve të shumta ka rënë në sy ai i shokut të repartit.
“Çfarë po i thua, vëlla? Harroji pistoletat?”, komenton afrikani, duke ironizuar me mënyrën e festimit të Piatek dhe faktin që nuk arriti të çante atë dhe Andersenin. Komenti i Kolej është pëlqyer pafund nga tifozët e Sampit, të cilët nuk e harrojnë të kaluarën si lojtar i Xhenoas për Piatek.