Sokol Cikalleshi është një ndër lojtarët kuqezinj që e njeh më së shumti futbollin turk. Sulmuesi, foli në një lidhje direkte për “Supersport”, ku komentoi humbjen e kombëtares.
“Unë e thashë dhe para ndeshjes, ata kanë 3-4 lojtarë shumë cilësorë, që nga momenti në moment mund ta zgjidhin ndeshjet. Lojtarët e tjerë janë lojtarë që luajnë në Turqi, por nuk janë emra ndërkombëtare. Edhe unë prisja shumë nga Turqia, por ata luajtën thjeshtë dhe morën maksimumin, nuk ke çfarë t’iu thuash.
Kjo është shumë e drejtë, thjeshtësia në futboll bën diferencën. Të luash thjeshtë është e vështirë ka thënë i madhi Johan Krujf. Shqipëria ishte e pafat. Në kohët e fundit, goli po na mungon dhe kur ju po tregonit statistikat, unë si lojtar sulmues ndihem keq, pasi i kuptoj shumë mirë Sadikun, Balajn, Uzunin, Grezdën. Edhe ju e dini shumë mirë që goli shënohet kur gjithë ekipi luan mirë, krijon raste dhe volum. Sot, çunat dhanë maksimumin, edhe pse në pjesën e dytë gjendja fizike ra, por dhanë maksimumin, ky është mendimi im” përfundoi Cikalleshi.