Agustin Kola: Turqia nuk na mund dot, t’i lëmë fjalët për listën!

Shqipëria nis nesër kualifikueset e EURO 2020 dhe përballë kuqezinjve të drejtuar nga Kristian Panuçi do të vendoset Turqia. Besimi për ta kaluar me sukses këtë përballje është i madh, ndërkohë që një analizë në prag të kësaj sfide e bën edhe ish-sulmuesi i kombëtares dhe Tiranës, Agustin Kola.

Trajneri aktual i kombëtares së femrave për 17-vjeçare, është i bindur se Shqipëria nuk do të mundet, ndërkohë që sheh optimizëm në kampin kuqezi. “I kam ndjekur përgatitjet e kombëtares këto ditë dhe përpos atyre çka flasin e shkruajnë mediat në Shqipëri, shoh optimizëm e përkushtim”, thotë fillimisht për SportEkspres.com Kola.

LOJTARËT E GRUMBULLUAR – Më tej ai flet edhe në lidhje me lojtarët e grumbulluar: “Këta janë futbollistët që ne kemi, nuk ka më si më parë që merrnim kosovarë nga e gjithë Europa. Besoj se trajneri Panuçi e ka patur kohën e mundësinë që t’i shikonte të gjithë futbollistët e grumbulluar, ndaj mendoj se për momentin këto ishin mundësitë”.

Ish-sulmuesi ngulmon, duke thënë se këto janë alternativat për kombëtaren tonë: “Në futbollin shqiptar kaq janë mundësitë, të mos rendim pas fjalëve se është edhe X apo Y lojtar që nuk është thirrur. Le të hedhim një vështrim në Kampionatin tonë dhe në Europë, e pastaj të flasim se alternativat e tjera janë më të mira se këto të Panuçit”.

STRAKOSHA – Agustin Kola ka komentuar edhe lënien jashtë të portierit të Lacios: “Thomasi është portier i mirë dhe ka një të ardhme të shkëlqyer, por për këtë rast unë po i referohem babait të tij, Fotos, i cili ka dhënë një deklaratë mjeshtërisht të kulturuar. Në futboll ka një shprehje: Të gjithë të ulin hundën, të jenë korrektë”.

TURQIA DHE KUALIFIKUESET – “Duke qenë se të gjithë futbollistët e grumbulluar janë në aktivitet, mendoj se gjendja e tyre do të jetë e mirë. Mirë do të ishte që të luhej një ndeshje miqësore me kundërshtar të nivelit të Turqisë, apo edhe më lart, por tashmë koha nuk pret. Unë besoj shumë te rezultati pozitiv dhe e them me bindje se Turqia nuk na mund dot në Shkodër. Këtë e mbështes në shumë arsye, por mbi të gjitha në forcën që ka skuadra jonë në startin e çdo eventi ndërkombëtar, sidomos kur luan këtu në Shqipëri. Fitoni edhe për ne”, shprehet Kola, i cili në fund flet edhe për shanset e kualifikimit në Euro 2022.

“Të shpresojmë në kualifikimin tonë, por kjo do të duket pas 3 apo 4 ndeshjeve të para. Në këtë grup eliminator dhe me përbërjen aktuale që ka kombëtarja jonë, mendoj se objektivat duhen parë ndeshje pas ndeshje. Një kualifikim i mundshëm do ishte supersukses, por duhet të jemi me këmbë në tokë”, përfundoi Kola.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *