Me ndeshjet kualifikuese të “Euro2020” shumë pranë, mediat europiane kanë nisur të shkruajnë për kombëtare të ndryshme, situatën e lojtarëve në kampet respektive, skuadrat për t’u ndjekur dhe talentet që pritet të shpërthejnë. Portali i njohur i të dhënave, “WhoScored”, ka bërë një listë me 5 kombëtaret jo shumë të njohura që duhen ndjekur me patjetër në këto kualifikuese.
Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Gjergjia, Ukraina dhe Kosova janë 5 kombëtaret e vogla që duhen ndjekur sipas portalit. Përfaqësuesja e “Dardanëve” bëri një UEFA Nations League thuajse perfekte, me shumë lojtarë që shkëlqyen dhe morën vëmendje të madhe në mediat sportive. Edhe në këto ndeshje kualifikuese, nga Kosova pritet shumë. “WhoScored” nuk ngurron t’iu thurë elozhe yjeve si Milot Rashica dhe Arbër Zeneli, për të cilët shkruan:
“Nuk ka dyshime që në grupin A, Anglia është favorite, por Kosova është ekipi për t’u ndjekur. Emra si Rashica dhe Zeneli mund t’i shkaktojnë shumë probleme skuadrave inferiore të këtij grupi. Lojtarë cilësorë dhe me të ardhme”. Kosova është në Grupin A, së bashku me: Anglinë, Bullgarinë, Republikën Çeke dhe Malin e Zi.