Të dielën Burreli pret në fushën e tij Ilirinë e Fushë-Krujës, një ndeshje ku matjanët kanë mundësinë që të nisin shkëputjen ndaj skuadrave ndjekëse në zonën Play-out të Grupit A. Edhe pse janë në kreun e kësaj zone, trajneri Elvis Plori deklaron për SportEkspres.com se asgjë nuk është e mbyllur.
Madje shkodrani thekson se lufta për mbijetesë do të jetë shumë e fortë deri në fundin e fazës së tretë. Të dielën në “Liri Ballabani” te Burreli mungon Emiljano Veliaj i skualifikuar, por Plori i ka marrë masat për zëvendësimin e mesfushorit beratas.
“Burreli nuk e arriti synimin që të renditej në zonën Play-off të Grupit A, por edhe në Play-out nuk është dorëzuar për mbijetesë. Ne jemi në kreun e kësaj zone, por objektivi ynë për të qenë pjesë e Kategorisë së Parë edhe për sezonin tjetër nuk është sigurt.
Ndaj në ndeshjet e fazës së tretë jemi të fokusuar vetëm te fitoret. Të dielën ndaj Ilirisë luajmë vetëm për tri pikët. Kemi vetëm mungesën e futbollistit me përvojë Emiljano Veliaj, por i kemi mundësitë që ta zëvendësojmë me lojtarët që kemi në dispozicion”, mbyll Plori deklaratën e tij
AGRON KAJA