Finalja e radhës për Partizanin, tifozët: Paguani gjobën!

Partizani duhet të harrojë ndeshjen e Kupës me Luftëtarin dhe të përqendrohet te sfida e radhës në kampionat me Teutën. Kjo përballje është programuar të zhvillohet të dielën në orën 17:00, ndërkohë që sikurse dihet të kuqtë janë dënuar të luajnë dy ndeshje pa tifozë.

Komisioni i Disiplinës e vendosi diçka të tillë pas problemeve të krijuara në ndeshjen me Flamurtarin në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ditën e djeshme u shlye gjysma e dënimit dhe klubi i Partizanit mund ta shlyejë me gjobë pjesën tjetër të dënimit dhe me durrsakët të luajë me tifozë.

Tifozët nëpër rrjete sociale kërkojnë që klubi të paguajë dhe të rikthejë tifozët, pasi ndeshja me Teutën është e një rëndësie të veçantë. Me shumë mundësi në klubin e kuq po përgatiten të paguajnë shumën e 5 milionë lekëve, sikurse e kërkon rregullorja, dhe të dielën tifozët e kuq do të duhet të përgatiten për të mbështetur skuadrën në finalen e radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *