Juventusi nuk është dorëzuar dhe po pret me padurim ndeshjen e 12 marsit kundër Atletikos në shtëpi. Të përmbysësh humbjen 2-0 në Spanjë do të jetë një mision tepër i vështirë, aq më tepër kundër ekipit të Simeones. Bardhezinjtë po kalojnë një moment jo të mirë fizik dhe gjendja e ekipit të Alegrit u pa dhe kundër Napolit, pavarësisht fitores.
Kritikat ndaj trajnerit livornez janë shtuar shumë dhe Alegri mund ta mbyllë me bardhezinjtë nga Torino në fund të sezonit. Disa emra kanë dalë në skenë si: Zinedin Zidan, i cili mbetet një preferencë e madhe e Juves, Antonio Konte dhe… Pep Guardiola!
Sipas “Sportmediaset”, drejtuesit e kampionëve të Italisë ëndërrojnë trajnerin spanjoll. Agjenti i spanjollit, i cili është dhe vëllai i Pepit, është parë në Torino, aty ku mund të kenë nisur kontaktet e para mes palëve. Në Angli janë të sigurt që trajneri i Mançester Sitit ka darkuar në një nga restorantët më të famshëm të Milanos.
48-vjeçarit i përfundon kontrata me “Qytetarët” në vitin 2021, me një rrogë prej 20 milionë sterlinash në sezon dhe ai e ka shprehur gjithmonë dëshirën për të drejtuar një ditë në kampionatin Italian. Ai ndodhet për mrekulli te Siti, por fitimi për të dytën herë rresht i titullit kampion dhe fitimi i Champions Ligës mund ta shtyjnë që të provojë si trajner emocionet e Serie A (si futbollist ka luajtur me Breshian dhe Romën)
Guardiola ka drejtuar më parë në Spanjë, Gjermani dhe Angli. Serie A është i vetmi kampionat i madh që i mungon, ndërsa Juventusi ka treguar se mund të arrijë gjëra të pabesueshme në merkato. Shumë skeptikë kishte për blerjen e CR7, por portugezi la Madridin dhe po lufton për të fituar me ngjyrat bardhezi mbi supe.
E njëjta gjë dhe për Guardiolën. Ai mund të jetë surpriza e madhe e fundit të sezonit dhe Juventusi do të hiqte dorë përfundimisht nga i njëjti stil lojë që bën gjithmonë, pasi me Pepin luhet futboll ndryshe, futboll spektakolar…
ZHOAO FELIKS – Përveç trajnerit spanjoll Juventusi është gati të sigurojë shërbimet e një prej lojtarëvë më të talentuar në Europë. Flasim për Zhoao Feliks, 19-vjeçarin e Benfikës. Ai ndiqet nga Reali i Madridit, Barcelona, Mançester Junajtid dhe Atletiko e Madridit, por bardhezinjtë janë në avantazh. Sulmuesi i talentuar ka shënuar gjatë këtij sezoni 11 gola, ndërsa numëron dhe 6 asiste.
Siç raporton “AS”, Fabio Paratiçi është takuar me presidentin e Benfikës gjatë javës së kaluar në Torino. Drejtori sportiv i klubit Italian i ka konfirmuar Luis Felipe Vieirës që Juventusi do të paguajë klauzolën e largimit të Feliks, që përkon me shifrën e 120 milionë eurove. Në takim ka qenë i pranishëm dhe Zhorzh Mendesh, agjenti i lojtarit të talentuar dhe Kristiano Ronaldos.