Me Devollin, durrsaku Stavri Nica është bashkuar në ditët e para të muajit janar 2019, por vetëm më 24 shkurt debutoi zyrtarisht në stolin e kësaj skuadre që luan në Grupin B të Kategorisë së Dytë. Ndërsa fitoi thellë 5-2 me Përmetin në javën e kaluar, Nica është i kënaqur në veçanti për lojën që zhvilloi skuadra e tij,
Për SportEkspres.com, ai deklaron se skuadra tashmë është formatuar plotësisht dhe e gatshme që ta arrijë synimin e sezonit. “Ndaj Përmetit ishte një skuadër harmonike në lojë, e kujdesshme dhe e saktë në fazën përmbyllëse. Kjo gjendje më bind dhe jep më shumë shpresë për arritjen e synimit tonë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Mbështetja e madhe që i japin skuadrës klubi dhe Bashkia, për mua janë garanci në këtë udhëtim të sezonit”.
Të dielën Devolli udhëton në Maliq, ku luan “derbin” e Prefekturës së Korçës. Një ndeshje ndaj një rivali serioz për kreun e Grupit B. “Në Maliq ne shkojmë të bëjmë lojën tonë dhe do kërkojmë maksimumin. Kemi një kundërshtar të fortë përballë, por synimi ynë është fitorja. Në grupin tonë janë disa skuadra që pretendojnë, ku veç Shkumbinit është edhe Maliqi me Albpetrolin.Por pse jo edhe Këlcyra”, u shpreh Stavri Nica para sfidës së javës 16-të me Maliqin.
AGRON KAJA