Skemat e Mauricio Sarrit kanë filluar të vyshken dhe nuk po japin më rezultat. Italiani rrezikon seriozisht shkarkimin nga posti i trajnerit të Çelsit. Ekipi i tij luan sot kundër Malmos sfidën e kthimit për Ligën e Europës (të parën e fituan në Suedi me rezultatin 1-2), aty ku nuk mendohet të hasin probleme për t’u kualifikuar më tej.
Finalja e “Carabao Cup” përballë Mançester Sitit që zhvillohet të dielën do të jetë një provë zjarri për të gjithë, sidomos për Sarrin, por Çelsi duhet ta fitojë këtë trofe. Situata në ekip është e keqe dhe rreth saj ka folur dhe Antonio Rudiger.
Në një prononcim për “Daily Mail”, qendërmbrojtësi nuk fshihet dhe vë gishtin te taktika e Sarrit dhe problemet që po hasin shumica e lojtarëve për të kuptuar atë që kërkon trajneri italian.
25-vjeçari gjerman bën një krahasim për gjendjen në të cilën ndodhet Çelsi dhe finalen kundër ekipit të Guardiolës e sheh si një provë të rëndësishme për gjendjen, forcën, mundësitë dhe të ardhmen e ekipit londinez.
“Situata jonë nuk ka të bëjë me lodhjen dhe gjendjen fizike. Fajin e ka taktika që preferon trajneri ynë. Në mënyrën e tij, Sarri po ecën përpara. Skemat e tij janë të reja për shumicën e lojtarëve, por duhet të përshtatemi. Është njësoj si të ulesh në bankat e shkollës duke dëgjuar dikë. Natyrisht, ndonjëherë, je i lodhur mendërisht, por në fund të ditës duhet të kesh bërë detyrën tënde. Për momentin skuadra nuk ndihet shumë e sigurt, na mungon besimi dhe po luajmë nën mundësitë tona.
Ndeshja kundër Mançester Sitit do të tregojë të vërtetën dhe atë që do të jetë rruga jonë në këtë sezon. Në ditët e ardhshme do të zbulojmë nëse jemi në gjendje të mbajmë ritmin e Sitit, por dhe të Liverpulit e Totenhemit. Unë nuk jam trajneri, jam thjeshtë një futbollist. Skemën taktike e zgjedh trajneri, ndërsa ne duhet ta ndjekim atë”.