Raportet mes Mauro Ikardit dhe Interit janë në pikën më të ulët. Gjithçka nisi nga mungesa e rinovimit të lojtarit. Oferta e zikaltërve me pretendimet e lojtarit kanë diferenca, ndërsa më pas klubit vendosi t’i hiqte shiritin e kapitenit sulmuesit për t’ia kaluar atë portierit Handanoviç.
Ky vendim i drejtuesve të klubit u mirëkuptua dhe u pranua nga pjesa më e madhe e tifozëve, ndërsa Ikardi dhe gruaja agjente e tij, Uanda Nara, u “tërbuan”. Argjentinasi vendosi të mos luante kundër Rapidit të Vienës në Ligën e Europës me pretekstin se ishte i dëmtuar. Ikardi i është nënshtruar kontrolleve mjekësore, që nuk kanë zbuluar ndonjë dëmtim të tij.
“Mauro Ikardi i është nënshtruar sot rezonancës magnetike për dhimbjen në gjurin e djathtë. Kontrollet nuk treguan ndryshime të rëndësishme në krahasim me testet e kryera përpara fillimit të sezonit aktual”, shkruan Interi në deklaratën zyrtare. Rreth këtij lajmi ka reaguar dhe Uanda Nara, e cila ka postuar në rrjetet sociale.
“Polemikë e re, mund të mbyllni me këto budallëqe. Mauro ka luajtur gjithmonë, edhe kur nuk ka qenë në maksimum. Nuk e mbani mend ndeshjen kundër Lacios në Romë, ku asnjë mjek nuk i këshilloi që të rrezikonte, por ai zbriti në fushë për Interin dhe Champions Ligën”, përfundon agjentja dhe bashkëshortja e 26-vjeçarit.