Shtubina barazon një rekord, por sa shumë vlejnë golat e tij!

Ndriçim Shtubina, me golin e shënuar ndaj Partizanit, ka barazuar një rekord personal që lidhet me numrin e golave të shënuar. Tanimë ka mundësi të thyejë atë në një periudhë që pret të mbushë 32 vjeç. Shkodrani shkoi në kuotën e 7 golave, maksimumi i tij në një sezon në Superiore.

Ndodhte të shënonte aq në sezonin 2013/14 me fanellën e Vllaznisë. Një numër të tillë Shtubina e ka realizuar në 30 ndeshje, kurse këtë sezon me Laçin i ka realizuar në 22 takime. Sigurisht Shtubina i gëzohet golave të shënuar dhe ua shpërblen kështu kurbinase, që besuan tek ai pas një gjysmë sezoni për t’u harruar te Kukësi.

VLERA E GOLAVE – Sa herë Shtubina ka shënuar në kampionat, Laçi nuk është mposhtur. Goli i fundit që kishte realizuar ishte ai në Durrës kundër Teutës. Në atë takim bardhezinjtë barazuan 1-1, kurse në takimet e tjera kurbinasit kanë marrë pikët e plota.

E veçanta është se Shtubina për Laçin, sa herë ka shënuar, ka realizuar golin e parë. Pikërisht ai është shumë i rëndësishëm në Superiore. Kundër Luftëtarit në shtëpi shënoi atë të barazimit 1-1 dhe Gjoni në fund i dha fitoren kurbinase. Në Gjirokastër, në Kamzë dhe në takimin e fundit shënoi gola trepikësh. Kundër Tiranës dhe Skënderbeut ka shënuar golat e avantazhit dhe në fund Laçi ka marrë pikët e plota.

Shtubina, duke festuar golin me Laçin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *