Danilo Alvesh ka firmosur me ekipin e Okzhetpes Kokshetaus dhe do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin e Kazakistanit. Sinan Idrizi, administratori i deleguar i kubit vlonjat, është prononcuar për “Telesport”, duke zbuluar të vërtetën e kësaj lëvizje.
“Po, kemi gjetur një marrëveshje dhe lojtari do të luajë në Kazakistan. I erdhi një ofertë shumë e mirë financiare dhe dëshironte të luante atje. Kemi biseduar me të dhe kemi gjetur marrëveshjen. Do të jetë lojtari ai që do të paguajë një shifër të caktuar për kartonin e tij”, konfirmon Sinan Idrizi.
Pasi konfirmon marrëveshjen me sulmuesin brazilian, kreu i kuqezinjve lëshon dhe një batutë nga të tijat. “Mos u mërzisni, Danilo do të jetë përsëri në Vlorë në verë. E kemi huazuar në Kazakistan dhe nuk ka ku të shkojë tjetërkund përveçse të kthehet në Vlorë”, përfundon administratori i deleguar i Flamurtarit.