Gjatë konferencës së gjatë për shtyp Safet Gjici ka komentuar dhe çështjen e presionit. Presidenti i Kukësit mohon që në ekip të ketë presion dhe komenton garën për titull. Partizani, Kukësi i tij, por dhe Teuta do të luftojnë fort për vendin e parë.
Ai nuk është lëkundur kurrë për të shkarkuar trajnerin Cungu, ndërsa komenton dhe zërat që e lidhin me një kandidim të tij për Bashkinë e Kukësit. Gjici shfaqet kategorik dhe mohon lidhjen midis futbollit dhe politikës, sulmon përsëri mediat sportive, zbulon lajmin e largimit të përgatitësit fizik, Daniele Nervit dhe e mbyll me largimin e Shafik nga ekipi në merkaton e janarit.
PRESIONI – “Ne nuk vuajmë fare për presion, sepse e kemi kaluar kohën e presionit kur fituam titullin. Një pjesë e lojtarëve kanë 6 vite te Kukësi dhe po ti pyesësh ata nuk kanë asnjë presion. Të gjitha kushtet ua kemi plotësuar. Tani është problemi i stafit teknik, kur ka shumë lojtarë. Ekuilibri mund të prishet nga ardhja e disa lojtarëve në merkaton e janarit, por kjo është në funksion të rregullimit për më mirë. Tani është detyra e trajnerit dhe stafit teknik për t’i mirë menaxhuar këto forca të mira që kanë ardhur në ekip dhe t’iu marrë 100%. Loja ka ardhur në rritje, si me Tiranën dhe me Teutën, por unë pres akoma më shumë, padiskutim. Kjo nuk do të thotë që ka presion, apo jemi në presion. Jemi 3 ekipe që luftojmë për titullin kampion. Dëgjoj me vëmendje që Teuta thotë që është për Europë. Në fakt nuk janë për Europë, por duan titullin kampion. Ata nëndetëset e vjetra vazhdojnë punën e vet, por dhe ne vazhdojmë punën tonë. Partizani merret vetëm me Kukësin, por është dhe Teuta për titull. Kjo është një gjë e mirë dhe është një konkurrencë e fortë. Ekipet e tjera po ofrohen, por ka akoma ndeshje për t’u zhvilluar. Ne do shohim ndeshjet tona dhe nuk na interesojnë rivalët. Ne do të presim, rivalët tanë do të gabojnë, ne do të fitojmë, kampionati kështu është dhe do e shohim në fund se kush do të triumfojë. E rëndësishme është që janë tre ekipe që luftojnë për vendin e parë.”
BASHKIA – “Se të tjerët aludojnë se Gjici dëshiron të marrë titullin se s’bën, sepse do të fitojë Bashkinë. Dëgjova disa media, disa mediokër, po çfarë lidhje ka futbolli me Bashkinë? Fare. Po të ishte kështu që me futbollin fitohen të gjitha Bashkitë, ne do e kishim bërë nga një ekip futbolli, çdokush nga ne, dhe i kishim marrë të gjitha Bashkitë me ekipe futbolli. Futbolli është për gjë tjetër, për të kënaqur njerëzit, tifozët dhe objektivat që ka klubi. Kjo është një ndërmarrje tjetër dhe nuk ka lidhje fare.”
TRAJNERI – “Cungu do ketë vështirësitë e veta dhe ka patur vështirësitë e veta, derisa ta gjejë formacioni e duhur. Unë kam besim te trajneri, por futbolli nuk është matematikë. Nëse i ecën do të vazhdojë përsëri, por kur një trajner nuk ka rezultate nuk ka nevojë ta heq unë. Ai e sheh vetë se nuk po funksionon, por besimi është i palëkundur ndaj trajnerit dhe kam besim dhe te lojtarët. Janë të njohur, me eksperiencë, por duhet të punojmë dhe të krijojmë një klimë të qetë.”
MEDIAT – “Ju duhet të kuptoni një gjë: asnjë media nuk ia arrin kurrë qëllimit të më përçajë me ekipin, pasi unë jam korrekt në shumë aspekte. Trajnerin e heq kur dua unë. Unë trajnerin e heq kur nuk ka rezultate dhe e heq vetë. Madje kur të thoni ju që e shkarkoj trajnerin, unë do e mbaj dhe dy vite të tjera.”
LARGIMI – “Po ju jap një lajm që nuk e keni thënë. Përgatitësi fizik është larguar dhe ju nuk e keni thënë. Ai ishte problemi i ekipit? Po, ai ishte problemi”, tha me ironi presidenti i verilindorëve.
TITULLI – “Të gjitha shanset janë që të fitojmë titullin kampion, por besoj se lufta është e vështirë. Një faktor që na ndikon negativisht është zhvillimi i ndeshjeve jashtë, prandaj kemi bërë sforco të përforcojmë ekipin me lojtarë cilësorë. Po t’i kishim zhvilluar ndeshjet brenda do të ishim ne në vend të parë me më shumë pikë se Partizani.”
PARIMI – “Unë nuk kam luajtur ndonjëherë futboll profesionist si Takaj, por kam luajtur në ligën amatore. Prandaj ai ka patur më shumë qetësi se unë, sepse ka luajtur futboll vetë. Unë kam një parim: trajnerin e heq kur dua unë dhe jo kur thonë të tjerët. Askush nuk vendos te unë përveç rezultateve. Iku dhe Murinjo prej rezultateve. Ka patur raste kur trajnerët më kanë kërkuar dorëheqjen dhe i kam mbajtur, sepse kam parë që nuk ka qenë i gjithë faji i trajnerit. Kanë përgjegjësi dhe lojtarët, por nuk mund t’i heqim dhe barra i bie trajnerit.”
LARGIMI I SHAFIK – “Është e vërtetë që Shafik ishte një lojtar dhe mesfushor shumë i mirë. Ishte lojtar teknik, por nuk e përballonte fizikisht kampionatin shqiptar. Ai pati problemet e veta, mjekët thanë që ka probleme rrëzash dhe rrezikon operacionin.”