Napoli zhvilloi një ndeshje shumë të mirë përballë Torinos, të cilën e dominoi totalisht, por goli nuk erdhi dhe ndeshja u mbyll ashtu siç nisi. Barazimi i dytë rresht pa gola në kampionat për ekipin e Karlo Ançelotit pas atij kundër Fiorentinës në Firence.
Mërzia është e madhe, por trajneri i Napolit kërkon të shohë anën pozitive. Ekipi i tij luan, prodhon lojë, dominon, godet portën pafund, por ndonjëherë topi nuk ka ndërmend të bindet.
Ançeloti sfidon çdo kritik dhe e mbyll prononcimin e tij me tifozërinë, që ka filluar ta braktisë ekipin në ndeshjet shtëpiake, aty ku Napoli ka grumbulluar 33 pikë, vetëm dy më pak se kryesuesit e Juventusit.
“Jam i mërzitur, por jo i zhgënjyer. Na mungoi goli, ashtu siç ndodhi përpara një jave në Firence. Nuk kam çfarë t’i kërkoj skuadrës në aspektin e lojës, karakterit dhe vendosmërisë. Kemi krijuar 18 raste për gol në dy ndeshjet e fundit. E sfidoj çdokënd që thotë se Napoli nuk po luan mirë. Na ka munguar vetëm finalizimi. Ky nuk është vetëm një problem i sulmuesve. Lojtarë të tjerë kanë patur shanset e tyre, por nu kanë shënuar. Ndonjëherë mjafton dhe një kros më i saktë për të gjetur golin… Stadiumi gjysmë bosh? Jemi skuadra e parë ose e dytë që kemi grumbulluar më shumë pikë në ndeshjet në shtëpi”, përfundon Karlo Ançeloti.