Mungesa e rinovimit të Mauro Ikardit me Interin ka sjellë acarimin e tifozëve zikaltër. Klubi vendosi të tregojë forcën e tij, duke i hequr shiritin e kapitenit sulmuesit për t’ia kaluar atë portierit Handanoviç.
Të gjithë po flasin për këtë çështje, por akoma nuk ka asnjë zgjidhje. Palët janë të ndarë: nga një anë klubi dhe nga ana tjetër Ikardi dhe Uanda Nara, gruaja dhe njëkohësisht agjentja e tij. Të ndarë janë dhe tifozët, pavarësisht se shumica janë lodhur me zvarritjet e bëra dhe i kanë dhënë të drejtë drejtuesve.
Lojtarit nuk i ka pëlqyer aspak veprimi i klubit dhe ai refuzoi të merrte pjesë në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Rapidit të Vienës, me pretekstin që ishte i dëmtuar.
Tensioni është në kulm dhe gjatë mëngjesit të sotëm ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Uanda ka qenë duke udhëtuar me fëmijët e saj, kur është goditur nga një gur. Episodi i hidhur ka ndodhur në afërsi të Komos. Panik dhe frikë e madhe për familjarët e Ikardit, por fatmirësisht nuk ka patur pasoja.
Shkaqet e ngjarjes nuk dihen akoma, por ky veprim i turpshëm lidhet lehtësisht me acarimin e ndonjë tifozi interist. Agjentja e 26-vjeçarit (i mbush të martën) është një personazh, e cila nuk pëlqehet nga tifozëria dhe shumica e tyre e bëjnë atë shkaktarë të situatës së krijuar.
Tashmë situata është përkeqësuar shumë dhe ky sulm me gurë ndaj familjarëve të Ikardit mund të sjellë krisjen përfundimtare të raporteve të golaedorit me klubin e Interit dhe tifozërinë zikaltër.