Gonzalo Higuain u transferua merkaton që lamë pas, nga Milani në drejtim të Çelsit. Argjentinasi ishte një ndër emrat më të përfolur, teksa la “djallin”, pas vetëm gjashtë muajsh mes shumë polemikave, ku “El Pipita”, deklaroi së fundmi që nuk ishte aspak i lumtur në “San Siro”.
Gjithsesi, aventura e tij e re nuk ka nisur ashtu siç pritej. Pavarësisht dy golave të shënuar ndaj Hadërsfilld, Higuain dhe Çelsi i tij janë kritikuar shumë, sidomos pas humbjes turpëruese ndaj Mançester Sitit me shifrat 6-0.
Sikur të mos mjaftonin rezultatet, shtypi britanik ka publikuar ditën e sotme dhe një video, ku “El Pipita” pështyn në tunelet e “Etihad Stadium”, përpara se të zbresë në fushë. Gjesti i bërë nga argjentinasi ka marrë komente dhe kritika të shumta nga tifozët por jo vetëm. Edhe nga mediat, Higuain është etiketuar si një njeri mosrespketues dhe i vrazhdë.