Jan Karamoh u huazua verën e vitit të kaluar nga Interi te Bordoja, pasi lojtari nuk arriti të gjejë hapësira në ekipin zikaltër. Gjithsesi, aventura e tij në Francë duket se nuk po shkon ashtu siç duhet, me 20-vjeçarin, i cili po shkakton jo pak probleme në ekipin e tij.
Së fundmi, klubi i Bordosë me të cilin aktivizohet Karamoh, ka dalë në një njoftim, duke thënë se lojtari është i pezulluar për një afat të pacaktuar dhe se po mendojnë seriozisht për kthimin e tij mbrapsht tek Interi.
Arsye për këtë vendim, duket se është bërë fakti që Karamoh, ka vendosur që të shkojë për “shopping” në Paris, në vend që të ishte me ekipin në transfertën e Marsejës, si dhe ka munguar në stërvitje. Thuhet se krisja e marrëdhënieve ka nisur që pas ndeshjes së kupës, që Bordo luajti ndaj Strasburgut, ku 20-vjeçari duket se ka debatuar me tone të larta me trajnerin.
Përveçse nuk u paraqit në ndeshjen ndaj Marsejës, Jan Karamoh, pas sfidës, postoi dhe një foto në llogarinë e tij në “Instragram”, duke acaruar akoma më shumë gjendjen e tij me klubin. Bordo këtë javë do të përballet me PSG-në në fushën e këtyre të fundit.