Të shtunën dhe të dielën më 9 e 10 shkurt do të luhen ndeshjet e javës së 16-të në Kategorinë e Parë, në dy grupet A dhe B. Nisur nga renditja që kanë skuadrat pas javës së 15-të, sfidat e kësaj jave veçohen edhe nga ky një fakt, pasi skuadrat të cilat kërkojnë mbijetesën në kategori do të luajnë në transfertë. Ndërkohë që nga skuadrat kryesuese, Vllaznia luan në Shkodër e Besa në Kavajë, ndërsa Bylisi do të luajë në Pogradec.
Në grupin A, Vora e vendit të fundit ndeshet me Besëlidhjen në Lezhë, Shënkolli me Vllazninë në Shkodër dhe Iliria me Dinamon në Tiranë. Të treja këto skuadra janë në vendet e fundit së bashku me Burrelin, i cili këtë javë pret në fushën e tij Korabin e vendit të 4-t në grup. Ndeshja Veleçiku-Erzeni do ti japë më shumë dritë renditjes së shijakasve nëse dalin pozitivë nga ky takim, por edhe Veleçikut për t’iu larguar zonës për mbijetesë.
Në Grupin B të dyja skuadrat që mbyllin tabelën e renditjes do të luajnë në transfertë, ku Turbina luan në Orikum ndërsa Elbasani me Lushnjen. Në tre ndeshjet e tjera të këtij grupi veçohet transferta e Bylisit në Pogradec dhe sfida e Besës që do të luajë në Kavajë me Egnatian. Tomori-Apolonia është takim i cili njerën nga këto dy skuadra e ngre në renditje, ndërsa tjetra do të qëndrojë në zonën e mbijetesës.
AGRON KAJA