“Nuk ka vend për ndjenja, ne duam vetëm… para!”, zbardhet emaili cinik për Sala

Kanë kaluar dhjetë ditë që nga zhdukja e avionit ku udhëtonte Emiliano Sala dhe shpresat për gjetjen e tij janë venitur. Tashmë janë dorëzuar dhe familjarët e miqtë e tij, ndërsa francezja “L’Equipe” ka zbuluar emailin e agjentit, i cili bëri të mundur transferimin e sulmuesit fatkeq nga Nanta te Kardif Siti.

Ai quhet Uilli Mek Kej dhe është personi që organizoi dhe fluturimin fatal. Konkret dhe shumë cinik, agjenti i prezantohej argjentinasit në këtë mënyrë. Ai i shpjegon lojtarit mënyrën se si funksionon bota e merkatos dhe fjalët e shumta që qarkullonin rreth transferimit të tij në Premier Ligë.

Emiliano, emri im është Uilli Mek Kej. Ne nuk na interesojnë çështjet e tua personale: llogaritë bankare, pushimet apo babysitter. Ky nuk është biznesi ynë, sepse ne bëjmë vetëm transferime lojtarësh. Deri tani kemi kaluar shifrën 600, duke përfshirë ato të Drogba, Anelka, Pajet, Seri dhe Anguisa. Ne nuk themi që ‘jemi si baballarë për lojtarët tanë’. Jo, nëse ti nuk do të ishe një futbollist, nuk do të ishim interesuar kurrë për ty. Në fund të fundit, jemi të gjithë të interesuar vetëm për para dhe natyrisht që duam të fitojmë sa më shumë. Aspak ndjenja, ne bëjmë vetëm biznes.”

“Eksperienca ime më thotë që nëse nuk do të zgjedhësh në këtë moment Premier Ligën, atëherë do të pendohesh më vonë. Dikush ka thënë që ty nuk të intereson Kardifi, por ndoshta është faji ynë. Kemi zbuluar se ka dhe klube të tjera që duan të blejnë kartonin tënd si: Evertoni dhe Uest Hemi. Një mënyrë për të simuluar interesin. Ne punojmë në këtë mënyrë, pavarësisht se mund të keqinterpretohet nga futbollisti. Por pa këto zëra, askush nuk do të njihte, sepse, sinqerisht, askush nuk e ndjek kampionatin francez.”

Marrëveshja u arrit, madje Mek Kej sponsorizoi dhe udhëtimin e fundit tw sulmuesit 28-vjeçar. Madje edhe agjenti cinik e ka kuptuar fatin e tij mizor: “Nëse nuk do ia kisha kërkuar kurrë mandatin Nantës për të negociuar për transferimin e Salës, ai do ishte ende mes nesh“. Ndonjëherë, nuk është thjesht biznes…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *