Kristof Piatek tregoi përballë Napolit që 13 golat e shënuar në kampionat me Xhenoan nuk ishin rastësi. Debutim i shkëlqyer me Milanin për sulmuesin polak, i cili shënoi një dygolësh shumë të bukur kundër Napolit dhe dërgoi kuqezinjtë në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.
Adrenalina te tifozët e “Djallit” është në kulm. Kishte vite që ata nuk shijonin një sulmues të madh dhe të gjithë janë dashuruar me 23-vjeçarin. Xhenaro Gatuzo e krahasoi pas fitores 2-0 kundër Napolit me danezin Tomason, ndërsa Hernan Krespo mendon ndryshe.
Argjentinasi luajti me Milanin në sezonin 2004-2005, ku zhvilloi një sezon shumë të mirë. Dygolëshi në finalen e Stambollit nuk mjaftoi dhe Champions Liga përfundoi te Liverpuli, pas një prej finaleve më emocionuese të zhvilluara në historinë e futbollit. Krespo analizon karakteristikat e Piatek, i cili i kujton një emër të madh si Andrij Shevçenko.
PIATEK – “Lehtësia me të cilën godet portën më ka befasuar më se shumti nga Piatek. Ai nuk kursen asnjë sekondë dhe nuk i lejon mbrojtësit të ndërhyjnë. Ai e ka portën në kokë dhe nuk ka nevojë ta shohë fare. Ka një goditje të fortë dhe precize. Diçka të tillë e tregoi me dygolëshin e shënuar kundër Napolit.”
SHEVA – “Tomason ishte i aftë të ndihmonte mesfushorët, krijonte hapësira për shokët e repartit të sulmit, por nuk ishte një finalizues i madh. Për mënyrën se si godet portën dhe si ç’markohet, më kujton shumë Andrij Shevçenkon. E shoh pak dhe veten time tek ai, por dua ta ndjek më vëmendje ecurinë e tij. Fizikisht ngjajmë, por jam kurioz të shoh rritjen e tij në goditjet me kokë. Shevçenko, i cili ishte një fenomen i vërtetë, kishte karakteristika të ngjashme me Piatek: në kundërsulm ishte vdekjeprurës, nuk e humbiste kurrë topin, ishte potent dhe kishte një shpejtësi ekzekutimi, që rrallë e kam parë.”