Erjon Xhafa, zëvendëstrajneri i Tiranës, ka dalë sot para mediave për të folur në lidhje me ndeshjen që bardheblutë zhvillojnë kundër Flamurtarit në Kupë. Një ndeshje që zhvillohet nesër prej orës 17:00 në “Selman Stërmasi” dhe është mjaft e rëndësishme për të dyja ekipet.
“Kupa kë një specifikë tjetër nga kampionati, ku 90 minuta vendosin. Këtu duhet të luajmë edhe me llogaritë e ndeshjes së dytë, që do të thotë që nuk mund të kalojmë në aventurë që në ndeshjen e parë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse na jep mundësinë edhe ndeshje e kthimit të kemi kohë për rikuperim e takimit”, u shpreh fillimisht Xhafa, i cili më tej foli edhe për çështje të tjera në kampin bardheblu.
KRIZA E FLAMURTARIT – “Ne nuk shohim në shtëpinë e tjetrit, shohim problemet tona. Flamurtari mund të ketë probleme nga më të ndryshmet, ama kontingjenti, stafi, trajneri janë ata që mbyllën kampionatin. Nuk mendoj se një lojtar kur futet në fushë mendon problemet që ka. Ai futet dhe jep më të mirën për të marrë atë rezultat që kërkon”.
“Pritshmëritë në ndeshjen e nesërme? Nuk presim diçka ndryshe, por të jemi po ata dhe të mos i jetë ulur përqendrimi lojtarëve. Ndeshjen e fundit pati entuziazëm dhe luftë nga ekipi ynë. Presim të njëjtën gjë nga futbollistët tanë. Po nuk na u përgjigj ekipi ynë, nuk presim nga kundërshtari. Ata bëjnë lojën e tyre dhe bëjnë llogaritë e tyre. Duhet të jemi të kujdesshëm te kjo pjesë”.
KONTIGJENTI – “Trajneri është shprehur normalisht. Besoj se edhe ekipet e vendeve të para, po t’i pyesësh, besoj se kanë nevojë për 2-3 përforcime. Gjithmonë është mirë që të kesh sa më shumë. Ne besoj jemi të kënaqur me atë kontingjent që kemi, do punojmë me atë kontingjent dhe shpresojmë t’u marrim më të mirën. E kemi të mundur t’i përballojmë të dyja kompeticionet”.
“A ka nevojë skuadra për afrime? E thashë edhe më parë, çdo skuadër ka nevojë. Merkato e janarit ka një problem, që nuk të ofron shumë mundësi. Ndonjëherë mendon se po bën përforcime, por merr lojtarë që nuk janë të nevojshëm. Për këtë nuk kemi nevojë. Kemi një kontingjent që them se i përballojmë të dy kompeticionet. Nëse do ishte mundësia për ndonjë lojtarë që do të bënte me të vërtetë diferencën dhe do na bënte punë, do ishim të kënaqur. Përndryshe do ishim mirë”.
SENTAMU – “Është një nga sulmuesit titullarë, ishte në një formë të mirë para se të merrnim pushimet. Ky është një problem i klubit më shumë. Ata merren me të, ne merremi me ata që kemi në dispozicion. Për këtë çështje është klubi që po interesohet”.
PUNA SPECIFIKE NË STËRVITJE – “Duke qenë se kam qenë mbrojtës, Mema ma ka dhënë mua mundësinë të merrem me atë repart, me lëvizjet, me harmonizimin e mbrojtjes. Kur ka gjëra specifike për mbrojtjen trajneri ma lë mua dhe merret me pjesën lart të ekipit. Kjo pasi është diçka e imja natyrale”.
OBJEKTIVAT DHE DONATORI I RI – “Nuk mund të flas për objektiva afatgjatë. Tirana luan për të marrë më të mirën në çdo ndeshje. Pas çdo ndeshje bëjmë llogaritë. Më pas mund të flasim për llogari”.
“A kanë ndikuar te lojtarët lajmet se do të ketë donator të ri në klub? Nuk e besoj, Tirana e ka një president. Vjen apo nuk vjen donator, kjo është një pjesë më shumë e drejtuesve se sa e lojtarëve dhe e stafit. Jemi të përqendruar te puna jonë, me këtë pjesë ka kush merret. Lojtarët kanë kontrata me një president dhe ai përgjigjet”.