Skuadra e Barcelonës është një nga ekipet më të mëdha në botë, e mbushur me histori dhe me trofe të shumtë. Në 119 vite histori në futboll, fanellën e Barcelonës e kanë mbajtur të veshur më shumë se 2200 lojtarë, por vetëm një emër është shumë i veçantë.
Ai është portieri Lopis (mund të ngatërrohet lehtë me Loris), por në sytë e tifozëve katalanas është i paharrueshëm. Huan Bautista Lopis është 102-vjeç sot dhe është njeriu më i vjetër që ka veshur fanellën e Barcelonës gjatë karrierës së tij si futbollist.
Lopis ka luajtur gjatë sezoneve 1941-’43 me uniformën e katalanasve dhe ndeshjen e fundit për gjigantët spanjollë, e ka luajtur plot 76 vite më parë. Sot, ish-portieri është ftuar në ambientet e stadiumit “Camp Nou”, ku e kanë prezantuar me çdo cep të ambienteve. Për fat të mirë, legjendës së katalanasve nuk i nevojitej një karrocë invalidi dhe insistoi që të lëvizte me këmbët e tij në stadiumin ku u bë i famshëm.