Ramadan Ndreu, ndryshe nga pjesa tjetër e drejtuesve, ndodhet në Shqipëri dhe një ditë më parë mbylli transferimin e mbrojtësit të majtë Faton Xhemaili. Në një prononcim për “Supersport”, krutani foli fillimisht për merkaton.
“Skuadra e Kukësit në merkaton dimërore ka qenë e kujdesshme. Jemi menduar gjatë, që në çdo lëvizje të jemi në grup, për vetë faktin që ka një rregull në futboll: kur skuadra funksionon mirë dhe nuk shfaq shumë probleme, edhe në merkato duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Mendoj se kemi qenë, duke afruar dy lojtarë, që unë mendoj se ishin të domosdoshëm. Qoftë Rroca, qoftë dhe Shkurtaj. Kurse për pikat e tjera do të afrojmë lojtarë, akoma nuk e kemi mbyllur merkato, për të plotësuar grupin. Do përforcohet mesfusha mendoj”.
SHKURTAJ DHE RROCA – Presidenti Gjici ka shpenzuar për blerjen e dy lojtarëve të Luftëtarit dhe Ndreu e komenton kështu: “Mendoj që në dy lëvizjet e para të Kukësit, me Shkurtajn dhe Rrocën, kemi bërë lëvizjet e duhura. Kjo sepse janë dy lojtarë të nivelit të lartë në cilësi, por edhe në kosto. Presidenti mendoi se ishte një hap shumë i madh, shumë i mirë, duke pasur parasysh që këta lojtarë do në shërbejnë. Kemi idenë se edhe në perspektivën tonë mund t’i shesim. E vërtetë është se kishim kohë që ishim në bisedime, por e mira është që në një klub të punohet brenda dhe më pas të bëhet e ditur”.
REXHINALDO – Afrimi i Shkurtajt ka bërë që të ketë edhe pakënaqësi te Rexhinaldo: “Klubi ka gjithë të drejtën të afrojë lojtarë të një pozicioni dhe lojtari nga ana profesionale duhet ta pranojë. Kuptohet që vështirësia e kapjes së një vendi në formacion është e madhe, kështu që Rexhinaldo për momentin është lojtar i Kukësit. Ai do respektojë kontratën dhe vendimet e marra nga trajneri. Sa i përket lojës, skuadrën mund ta vendosim me një ose me dy sulmues dhe këtë e vendos trajneri. Por të dy lojtarët janë të ngjashëm dhe ai që do të jetë më në formë do ta nisë takimin”.
XHEMAILI – Te Kukësi po mendojnë të afrojnë edhe të rinj tani: “Klubi ka ndryshuar strategji, madje të gjitha klubet shqiptare, për të afruar lojtarë që kanë të ardhme dhe mund të shiten në të ardhmen. Kjo duhet të jetë strategjia, që të fitohet edhe financiarisht. Sa i takon Xhemailit, për mendimin tim është një lojtar me nivel. Mendoj se do të jetë një lojtar që do na ndihmojë shumë dhe do na shërbejë. Në të ardhmen do të jetë në treg për t’u shitur”.
OBJEKTIVI – Synimi i verilindorëve është i qartë: “Kemi shumë shanse për të dalë kampion. Dhe këto 3-4 lojtarë që janë afruar kanë nivel, do na japin shtysën për të thënë se jemi kandidati kryesor për të fituar titullin. Investimet nga presidenti janë rritur, kështu që edhe përgjegjësia është shumë e madhe. Ne ia shpërblejmë presidentit duke dalë kampion, pasi janë bërë investime. Futbolli i tillë është, i pranon të gjitha”.
POZICIONI – Ndreu ka folur edhe për pozicionin e tij si drejtor: “Vështirë është t’i ndash, edhe profesioni i trajnerit që unë e kam ushtruar shumë ka emocione të jashtë zakonshme. Edhe në këtë pozicion që jam te Kukësi më pëlqen dhe e bëj me dëshirë. Jam mirë edhe në këtë pozicion”.