Rikthimi në Superiore është objektivi i vetëm i Vllaznisë dhe drejtuesit e ekipit shkodran po bëjnë maksimumin për të përforcuar kontingjentin e lojtarëve të Hasan Likës. Diçka e tillë ka ndodhur dhe Vllaznia ka rikthyer në ekip Arsid Krujën, siç lajmëron klubi verior në rrjetet sociale.
25-vjeçari, i cili aktivizohet në rolin e mesfushorit të krahut, ishte pjesë e Teutës në pjesën e parë të sezonit, aty ku e nisi mirë, por më pas minutat e lojës munguan. Suad Lici, administratori i deleguar i kuqebluve, ka arritur akordin me lojtarin, i cili nuk është hera e parë që rikthehet në Shkodër.
Kruja ka firmosur për 1 vit e gjysmë me Vllazninë, pjesë e së cilës do të jetë deri në verën e vitit 2020. Lojtari nuk ka humbur kohë dhe ka dalë ditën e sotme në stërvitje me ekipin, ndërsa klubi i Vllaznisë i uron mirëseardhjen në ekip.