Duke qenë në stolin e Laçit në 18 javët e luajtura në Kategorinë Superiore, Migen Memelli duket më afër njohjes së situatës që kalojnë aktualisht skuadrat, kryesisht në këtë periudhë përgatitore të muajit janar. Për SportEkspres.com, Memelli thekson se skuadrat nuk kanë patur stabilitet në lojën e tyre dhe në rezultatet që kanë arritur, e këtë më mirë e tregon renditja në 18 javët e dy fazave të para.
Migen Memelli ka një karrierë të pasur në futboll, të nisur në sezonin 1999-2000 me Skënderbeun dhe e mbyllur në sezonin 2014-2015 me Kastriotin. Në tetë skuadra të Superiores, në Suedi dhe Arabi Saudite, Memelli ka luajtur 18 vite në elitë dhe në sezonet 2008-2009 e 2013-2014 ka dalë kryegolashënues në Kategorinë Superiore, ndërkohë që në këtë karrierë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Kjo atmosferë me mot të ftohtë dhe reshje shiu, sa shkon pa futboll zyrtar dhe pa Memellin në pankinë?
-Çdo gjë ka kohën e vet dhe dy muaj të tillë janë për përgatitjet që skuadrat bëjnë për pjesën e dytë të sezonit. Ndërsa për pankinën time, unë jam në tregun e trajningut. Gjithsesi është e vështirë, pasi janë rreth 500 të licensuar për 30 skuadra.
Si e shikoni ritmikën e përgatitjeve që skuadrat e Kategorisë Superiore kanë bërë në këtë periudhë?
-Ekipet që kanë ofruar kushtet e një minifaze të vërtetë janë Partizani me Kukësin në Antalia të Turqisë, ndërsa përafrohet edhe Teuta, e cila po përgatitet në Resortin “Tropikal”. Për skuadrat e tjera mendoj se përgatitjet e tyre nuk i përgjigjen nivelit të elitës.
Sa mundësi stërvitore ofrojnë terrenet sportive në Shqipëri, duke patur parasysh kushtet e motit të rënduar nga reshjet e shiut dhe të borës?
-Terrenet sportive në Shqipëri nuk afrojnë stërvitshmëri elite, sepse nuk kanë infrastrukturën e duhur sportive dhe kushte minimale akomodimi. Këto janë kërkesa që bëjnë diferencën për një futboll elitar, të cilat varen shumë edhe nga buxhetet që kanë skuadrat e Kategorisë Superiore.
Nga të gjitha skuadrat e Superiores janë deklaruar largime dhe afrime, ju si e shikoni merkaton e tyre në këtë periudhë?
-Gjithmonë në muajin janar, merkato ka qenë dhe mbetet e vështirë. Sepse mundësitë janë të blesh lojtarë shumë të shtrenjtë, që buxhetet e skuadrave tona e kanë të vështirë ta përballojnë. Ose do të marrësh lojtarë që kanë dalë nga planet e klubeve dhe nuk bëjnë diferencën.
Për dy fazat e para të Superiores, çfarë mangësie konstatoni në ecurinë e garës?
-Thuajse të gjitha skuadrat nuk kanë patur stabilitet në lojën e tyre dhe në rezultatet që kanë arritur, e këtë më mirë e tregon renditja në 18 javë. Me investimet që kanë bërë, të gjitha skuadrat janë afër njera-tjetrës, por duke ju munguar stabiliteti, rezultatet i kanë patur me luhatje.
Mbeten edhe dy javë nga rinisja e sezonit dhe nga klubet ende nuk ka lëvizje për të rregulluar marrëdhëniet me tifozët, do të vazhdohet ende me dënime kolektive të tyre?
-Sa u përket tifozëve, dënimi vjen nga kultura e pamjaftueshme që ekziston në shkallët e stadiumeve. Klubet duhet ta kenë në prioritetet e tyre marrëdhënien me tifozerinë, ndërkohë që boshatisja e stadiumeve vjen edhe nga e drejta televizive me ndeshjet e Superiores.
Gjysma e dytë e këtij sezoni do të nisë me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, është kjo në të mirën e skuadrave për Kampionatin?
-I ndihmon apo jo kjo lëvizje e FSHF-së, kjo do të varet nga puna e klubeve me skuadrat e tyre. Mendoj se kjo duket si një ngjeshje e ndeshjeve e cila duhet menaxhuar në ngarkesat që duhet të marrin futbollistët në këtë periudhë, me qëllim që ajo të mos bjerë në ndeshjet e fundit të sezonit.
E keni një prognozë për verdiktet që mund të sjellë ky sezon te skuadrat e Kategorisë Superiore?
-Për titullin kampion mendoj se rivalë do të jenë vetëm Partizani me Kukësin, ndërsa Teuta, Laçi e Skënderbeu do të jenë në ndjekje të tyre, ndoshta edhe Flamurtari. Për mbijetesë, më të rrezikuar mendoj Kastriotin me Luftëtarin, sepse Tirana me Kamzën kanë ndryshime pozitive.