Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi ka folur për “RTSH Sport” sot, ku ka prekur disa tema. Merkatoja është ende çështja e nxehtë e këtyre ditëve dhe Shkëmbi pranoi se do të synohen edhe disa afrime të tjera.
Po ashtu, trajneri i “Djemve të Detit” u shpreh se me ecurinë që ka skuadra e tij, mund të ëndërrohet për titullin kampion. Mes të tjerash, Shkëmbi tha:
“Jemi OK, ta rifillojmë aty ku e mbyllëm. Për fat të mirë, të gjithë janë mirë fizikisht dhe shpresojmë ta mbyllim kampionatin ashtu siç mbyllëm gjysmën e parë.
Patjetër që ndoshta mund të afrojmë edhe disa lojtarë. E kemi thënë që kërkojmë lojtarë me cilësi më të mira se lojtarët që kemi, por edhe kështu jemi shumë mirë.
Objektivat e Teutës janë të qartë: Kupat e Europës. Edhe ne ëndërrojmë që mund të bëjmë diçka më shumë, duke parë vendin në renditje. Por nga ndeshja në ndeshje, do të shikojmë se ku jemi dhe çfarë do të arrijmë.
Skuadra po bën mirë nga java në javë, por në asnjë moment nuk mund të them që jemi në maksimumin tonë. Me punë çdo ditë, mendoj se do të jemi më të fortë dhe do të përmirësohemi më shumë.