Laçi dhe Kamza kërkojnë të përforcohen dhe sytë janë hedhur edhe nga Maqedonia. Një nga lojtarët e piketuar është Mevlan Adili, 24-vjeçari që luan në qendër të mbrojtjes dhe në linjën e djathtë në rast të ndonjë urgjence.
Mësohet se për Adilin Laçi dhe Kamza kanë bërë oferta të mira, por lojtari në fjalë është nën kontratë me Shkëndijën. Kuqezinjtë nuk heqin dorë kollaj nga mbrojtësi, i cili në fakt nuk është se ka pasur shumë hapësira këtë sezon.
Ai është preferuar në gjysmën e parë të kampionatit vetëm 4 herë si titullar, nga nëntë ndeshje që numëron në total. Adili u rikthye te Shkëndija janarin e shkuar dhe luajti rregullisht, por situata në verë ndryshoi dhe tani ai do largimin.
Në të shkuarën Adili ka qenë pjesë e Shkupit dhe UTA Arad në Rumani. Gjithashtu ai ka luajtur edhe për Maqedoninë U21. Tanimë kërkon një klub ku të ketë hapësira dhe Laçi e Kamza mund t’ia ofrojnë diçka të tillë. Madje për skuadrën e Ernest Gjokës është domosdoshmëri afrimi i një lojtari për qendrën e prapavijës.