Luftëtari ka bërë lëvizjen e parë në hyrje pas largimeve të Eduart Rrocës, Vasil Shkurtajt dhe Lejdi Liçajt. Realdo Fili, sulmuesi anësor që një ditë më parë u largua nga Skënderbeu, do kërkojë të tregojë vlerat e tij në Gjirokastër.
Prej ditësh SportEkspres.com kishte njoftuar për faktin se palët ishin në bisedime dhe marrëveshja ishte pranë, por më parë duhej duhej zgjidhur kontrata mes Filit dhe Skënderbeut. Me të ndodhur kjo ka ardhur edhe kalimi te Luftëtari, që e ka prezantuar sot sulmuesin e ri.
Fili ka firmosur kontratë 1.5-vjeçare, nën praninë e menaxherit të tij Elton Marini, i cili është kujdesur për gjithë detajet e kontratës.
Gjirokastritët tashmë po punojnë për të bërë edhe disa afrime të tjera. Erjon Vucaj mbetet një dëshirë, por kontrata me Dritën në Kosovë është pengesë. Zëvendësimi i Rrocës dhe Shkurtajt është një mision për bluzinjtë, që duhet të shmangin sa më shpejt zonën e ftohtë në tabelën e renditjes.