Një ndër lojtarët më të rëdnësishëm të Milanit, është padyshim “diga” e mesfushës, Frank Kesi. Afrikani u transferua një sezon më parë nga Atalanta në drejtim të “San Siros” dhe që nga ajo kohë, është shndërruar në një nga më të preferuarit e tifozëve. Paraqitjet e tij gjithashtu kanë bërë përshtypje në disa nga klubet më të mëdha, të cilat janë vënë në lëvizje.
Totenhemi dhe Çelsi, siç raportohet nga mediat angleze, po mendojnë seriozisht për blerjen e mesfushorit kuqezi, i cili në rast se Milani nuk arrin zonën Champions në fund të sezonit, do të largohet, kjo dhe për shkak të bilancit ekonomik, që duhet të jetë brenda rregullave të “fair-playt financiar”.
”Gjelat” e Londrës kanë gati 36 milionë sterlina për 22-vjeçarin, i cili shihet si lojtari ideal për të zëvendësuar Musa Dembelen. Ndërkohë, Çelsi shihet më i favorizuar, pasi mund të përdorë kartën “Bakajoko”, për të mbërritur te Kesi. Bakajoko është i huazuar te Milani dhe paraqitjet e tij të fundit, duket se kanë bindur drejtuesit kuqezinj.
Për këtë arsye, dyshja Leonardo-Maldini, por edhe trajneri Gatuzo, mund të tundohen nga një ofertë që do të përfshinte Bakajokon. Gjithsesi, të gjitha këto spekulime nga mediat angleze, janë bazuar në rast se Milani nuk do të arrijë të jetë pjesë e Champions League sezonin e ardhshëm.