Ditën e sotme Mançester Junajtid zyrtarizoi si trajner të ri, norvegjezin Ole Gunar Solskjaer. Ish-tekniku i Moldes, do të vijë për herë të dytë në Premier Ligë në rolin e trajnerit. Më parë, Solskjaer ka drejtuar ekipin e Kardif Siti, në vitin 2014.
Aventura e parë e 45-vjeçarit në Angli si trajner nuk ishte fort e mirë. Në atë sezon, ekipi i tij, Kardifi e mbylli kampionatin në vendin e fundit dhe zbriti në Championship. Ndoshta, fajtori kryesor nuk u pa të ishte Solskjaer, pasi norvegjezi e mori drejtimin e ekipit në janar, por me fillimin e sezonit të ri, ecuria përsëri ishte jo e duhura dhe drejtuesit e Kardif u detyruan ta shkarkonin.
Shifrat nuk janë në favor të trajnerit më të ri të Junajtid, i cili në 18 takime të zhvilluara në Premier Ligë, ka arritur të koleksionojë vetëm 3 fitore. Pikët e grumbulluara janë 12 nga 54 të mundshme, ndërkohë që humbjet janë plot 12. Në atë kohë drejtonte Kardifin, një ekip shumë herë më modest se Junajtid.
Gjithashtu kanë kaluar 4 vite dhe tashmë norvegjezi shihet të ketë më tepër eksperiencë. Statistikat nuk i dalin në krah, gjithsesi mbetet për t’u parë se cila do të jetë ecuria e Ole Gunar Solskjaer në krye të ekipit, ku si lojtar u shndërrua në një legjendë.