Skënderbeu aktual, e ardhmja dhe merkatoja, Fakiç largon hijet e krizës

Haris Fakiç është një prej atyre që ndër vite ka dhënë kontributin e tij të paçmuar për skuadrën e Skënderbeut. Drejtori sportiv i korçarëve ka kryer disa nga transferimet më të bujshme, jo vetëm të skuadrës juglindore, por edhe të kampionatit shqiptar.

Në një intervistë të gjatë për “SportEkspres.com”, drejtori i Skënderbeut flet për ecurinë e skuadrës deri më tani, por dhe për edicionin aktual në tërësi. Normalisht që Skënderbeu i ka thyer disi pritshmëritë këtë edicion, por për Faktiç mundësitë janë reale për të bërë akoma dhe më mirë.

Drejtuesi i lartë i kampionëve flet hapur për merkaton, duke veçuar dhe emra të përveçëm, për ata që mund të largohen, por njëkohësisht bën me dije fakti se tani në Korçë e kanë nderuar një listë se kush do të tentohet për t’u afruar në janar.

INTERVISTOI: JURGEN ZELA

– Fakiç, kur po shkojmë në gjysmën e kampionatit, a është Skënderbeu aty ku e kishit menduar?
– Pas përfundimit të kampionatit të kaluar ne u gjendëm në një pozitë shumë specifike, bëmë një koordinim shumë të gjatë. Së bashku me klubin bëmë një strategji dhe ndërtuam planin për sezonin 2018-2019. Një nga vendimet më të mëdha edhe më të rëndësishëm ishte emërimi i ish-portierit tonë Orges Shehi në rolin e trajnerit. Flasim për një person që e ka mbajtur flamurin e suksesit tonë të mëparshëm, të ngjarjeve të cilat janë historike për futbollin shqiptar. Kishim nevojë për një për një individ, i cili ishte në zemrën e klubit dhe që e njeh mirë mënyrën se si funksionojnë gjërat. Ky vendim jo vetëm që doli i drejtë, por mendoj se Skënderbeu i kaloi të gjitha pritshmëritë e opinionit sportiv në Shqipëri.

Sipas ecurisë deri në këto momente, besoj se po shkojmë drejt mbylljes së një gjysme kampionati mjaft të mirë dhe jo shumë ndryshe nga edicionet e mëparshme. Deri tani mund të bënim më shumë, por po ashtu mund të shkonte edhe më keq, ishte parashikuar gjithçka. Po shikojmë një kampionat shumë të ekuilibruar, me shumë variacion në rezultate, te të gjitha skuadrat. Duhet të jemi të kënaqur, duke pasur parasysh dhe ndryshimet të cilat përjetuam te skuadra verën e shkuar. Është bërë një punë shumë e mirë nga ana e futbollistëve, por po ashtu do e kisha veçuar trajnerin tonë dhe stafin e tij, të cilët sipas meje kanë meritë dhe ndikim shumë të madh te Skënderbeu, që është në objektivin e tij, pavarësisht lëvizjeve të mëdha. Nuk duhet të harrojmë që kemi pasur shumë lojtar të rinj në formacion.

– Pse kaq shumë tension e presion, kur ju realisht nuk e nisët me shpallje për titull?
– Principet e klubit tonë nuk janë me shpallje pompoze e me parashikime. Ne kemi bërë diçka që është e pabesueshme për futbollin shqiptar, Skënderbeu është vertetimi më i madh se mund të arrihet suksesi me punë dhe prej vitesh ishim mësuar të luanim me sukses në Europë, duke u vënë frikën kundërshtarëve.

Realisht nuk mendoj se kemi presion. Ne do të marrim aq sa do të meritojmë edhe jemi të vetëdijshëm që publiku ynë dhe opinioni sportiv është mësuar për shumë vite me rezultate të mëdha. Ndoshta kanë pritur edhe më shumë deri më tani, por mendoj se është ende herët. Skuadra jonë akoma po konsolidohet dhe po bashkohet, si në fushë ashtu dhe jashtë saj. Na duhet dhe pak kohë dhe më pas nuk kam asnjë dyshim se do të vijnë edhe rezultate më cilësore.

-A nuk është pozicion i mirë vendi i dytë në këtë moment, përtej rezultateve të fundit?
– Për ne qëllimi është kampionati, deri sa ne jemi në lojë për ta fituar titullin, ne jemi të kënaqur. Ne do mundohemi ta marrim maksimumin e kësaj gjysme të parë të kampionati, pastaj nuk ka edhe shumë rëndësi a do jemi në vendin e parë a po në vend të tretë, kur pikët janë ato që i kemi edhe jemi në rrugën e mirë edhe afër objektivit.

– E kishit pritur një sezon me kaq shumë rivalitet?
– Mendoj që kampionati deri në këto momente është shumë i ekuilibruar edhe secila nga skuadrat ishte atje ku edhe i takon. Pastaj rivaliteti është diçka që ekziston çdo herë në kampionatin tonë edhe kjo është diçka shumë pozitive. Nuk ka shumë dallim midis skuadrave që janë deri tani sipër tabelës, diferenca pikëve janë vogla edhe akoma çdo gjë është e hapur. Mendoj që muaji janar do të jetë vendimtar se kush dhe me çfarë ambicie do e vazhdojë kampionatin në vijim.

– Ku e shikoni Skënderbeun në fundin e sezonit?
– Unë e shikoj Skënderbeun atje ku dashuron që ta shohë edhe tifozeria jonë, ultrasit edhe qyteti jonë. Në qoftë se ne jemi ata që besojmë, ne presim dhe përkrahjen e madhe nga të gjithë ata që e duan këtë klub. Ne premtojmë vetëm që do i plotësojmë të gjitha kushtet për futbollistët, që ata të lozin me zemër edhe me shpirt për këtë klub.

– A mund të konfirmojë Fakiç se disa lojtarë mund të shiten në janar dhe a po mendon klubi për përforcime?
– Punën që ne e kemi bërë në vitet e fundit është shumë e vështirë që të arrihet. Kemi mundur që çdo vit çdo vit që të shesim lojtarët më të spikatur dhe më të mirët me statistika, ndërkohë nga ana tjetër kemi mundur që të ruajmë dhe titullin kampion. Mendoj që ne jemi në një sistem të cilin çdo skuadër do ta kopjojë, por origjinali jemi ne. Besoj se ju e dini që ne nuk jemi skuadër që ndryshon shumë në gjysmën e kampionatit. Sigurisht që do të reagojmë nëse do të jetë e nevojshme, nëse do të shiten një ose dy lojtarë, për të cilët kemi oferta zyrtare. Gjithsesi, kemi një skuadër shumë të kompletuar dhe po presim që me kohën të forcohemi edhe më shumë. Siç e thashë dhe më lart, në fillim të këtij sezoni pësuam shumë ndryshime, ndaj ishte nevoja që skuadra të ambientohej dhe të sinkronizohej me idetë tona. Këta lojtarë që kemi nuk janë rastësisht pjesë e Skënderbeut.

– Keni ndonjë ofertë konkrete për ndonjë lojtar, që mund të na e zbuloni?
– Ekziston interes zyrtar për disa nga futbollistët tonë. Disa skuadra nga jashtë po na vazhdojnë rregullisht gjatë ndeshjeve të kampionatit dhe besoj se një ose dy do i shesim në janar. Aliti është lojtari i cili ka marrë shumë vëmendje e disa skuadrave europiane si me lojën e zhvilluar te Skënderbeu, ashtu dhe me paraqitjen e mirë me përfaqësuesen e Kosovës. Besojmë se do të jetë transferimi i radhës nga ana e klubit tonë. Më pas kemi edhe disa emra të cilët janë gati që të bëjnë hapin tjetër si Bregu, Demte, Dita, apo edhe Krasniqi e Oto Xhon, të cilët janë dy sulmues me perspektivë shumë të madhe. Kemi edhe lojtarë të tjerë, të rinj të cilët i kemi selektuar prej kohësh. Ne e dimë si prodhohet dhe si shitet lojtari. E kemi vërtetuar diçka të tillë shumë herë më parë se jemi trampolina më e fortë në vendin tonë. Besoj se të gjithë këta lojtarë do të vijojnë në rrugën e suksesit, si me skuadrën tonë ashtu dhe në mënyrë individuale.

– Keni veçuar ndonjë lojtar që mund të afrohet në merkaton e janarit?
– Skënderbeu e ka gati listën me emrat të cilët i dëshiron, por është çështje tjetër nëse do të arrihet marrëveshja apo jo. Ju them se kemi disa emra që na interesojnë, si nga kampionati shqiptar ashti edhe nga jashtë, por koha do tregojë më së miri se kush do të afrohet dhe kush do të largohet nga Skënderbeu.

– A po e vuan psikologjikisht skuadra pritjen e gjatë për verdiktin e CAS-it?
– Besoj se po futemi në fazën ku ne kemi duke i kaluar mendimet për dënimin nga UEFA, diçka që e kemi vërtetuar edhe me rezultatet, se jo rastësisht jemi atje ku duhet të jemi. Me siguri që kemi kaluar momente të vështira të gjithë bashkë, por gjithçka ka mbetur pas dhe ne shohim vetëm para. Ne presim kthesën e madhe në vitin 2019 dhe nëse realizohen pritshmëritë tona, atëherë e di se do të jenë të shumtë ata që do të duan shkallët e trenit të Skënderbeut, për të vizituar vendet e bukura të Europës.

– Ju shqetëson fakti që tifozët nuk janë të shumtë në stadium, por disa prej tyre sulmojnë ashpër skuadrën tani që është një moment negativ?
– Tifozët që i kemi ne nuk i ka askush në Shqipëri. Qyteti i Korçës edhe publiku e kuptojnë futbollin. Është kthyer tani në një qytet i futbollit dhe e kanë shikimin e pastër dhe të perfeksionuar. Ultrasit janë realistë dhe dinë ta vlerësojnë situatën, për ata është e rëndësishme që lojtarët të japin zemrën në fushë, më pas rezultatet vijnë gradualisht. Komentet të cilat i përmendni, mirë apo keq, janë të mirëpritura, sepse në fund të ditës publiku jonë na trajton dhe na do në mënyrë të jashtëzakonshme. Ne premtojmë vetëm se do i plotësojmë kushtet për futbollistët që ata të japin zemrën dhe shpirtin për këtë fanellë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *