U mendua se Roma u rikthye te fitorja pas 3 ndeshjeve mes kampionatit dhe Champions-it, por futbolli është i paparashikueshëm. Ekipi i Di Françeskos barazoi në transfertën e vështirë kundër Kaljarit me rezultatin 2-2. Miqtë ishin në avantazh të dyfishtë deri 5 minuta përpara fundit të takimit, por ekipi sard u “ringjall” në fund dhe shënoi dy herë, edhe pse e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak.
Ky barazim e mban Romën në vendin e shtatë me 20 pikë, ndërsa vendi i katërt është gjithnjë e më larg. Pikë karakteri për Kaljarin, që regjistron barazimin e katërt rresht në kampionat.
Takimi u zhbllokua shumë shpejt. Kristante lëshoi një të majtë të pakapshme për portierin e Kaljarit në minutën e 14-të, ndërsa Kolarov dyfishoi shifrat katër minuta përpara fundit të pjesës së parë.
Mbrojtësi i krahut shënoi një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit, specialitet i tij. Kaljari tentoi të shënonte dhe hapte ndeshjen, por goli erdhi vetëm pesë minuta përpara fundit. Rumuni Ionita shënoi me kokë nga një goditje këndi dhe vendasit morën zemër.
U duk sikur nuk kishte më kohë, por arbitri sinjalizoi 5 minuta shtesë, ku ndodhi gjithçka. Farago dhe Sërna u ndëshkuan me të kuqe brenda dy minutash, por Sau nuk ishte dorëzuar akoma. Italiani iu shkëput mbrojtjes verdhekuqe në fund, duke mposhtur Olsenin dhe duke dërguar në ekstazë të pranishmit në “Sardenja Arena”.
Kaljari-Roma 2-2
(Ionita 85’, Sau 90+5’ / Kristante 14’, Kolarov 41’)