Mungesa e golit dhe terreni, Plaku: Ja çfarë po na pengon!

Sebino Plaku po e vuan mungesën e golit, por më së shumti rezultatet jo të mira të Kamzës. E tha edhe vetë sot në konferencën për shtyp, ndërkohë që analizoi edhe pse skuadra nuk po shënon. Kapiteni i skuadrës periferike të kryeqytetit ia vuri “fajin” presionit që krijohet. Terreni është një problem më vete, pasi në fushën e Kamzës vetëm një ditë më parë u luajt Kukësi-Skënderbeu.

Keni shënuar vetëm dy herë këtë sezon, a ju mungon goli dhe çfarë po ndodh?
-Kjo është tema e sulmuesit, shënimi. Çdo intervistë është kjo pyetje, kur shënon apo jo. Është pjesë normale e jetës sonë, të shënuarit ose jo. Nuk do doja të kisha ndjesinë e mungesës së golit.  Më tepër ndjejmë situatën që po kalon ekipi. Po shënuam gola, do vijnë edhe pikët. Kemi pësuar shpesh dhe nuk kemi pasur mundësi të rikuperojmë. urojmë të kemi stabilitet, më tepër përqendrim në të gjithë repartet. Kjo do na jepte mundësinë ne sulmuesve për të qenë më të fokusuar në finalizim.

Ku qëndron ngërçi?
-Siç e preka edhe më parë, kemi pësuar shpesh dhe kjo ka bërë që ekipi të futet në trysni dhe ta shënojë golin me patjetër. Çdo gjë vjen në bazë të një logjike. nëse e humb del jashtë detyrave dhe mund të pësosh. Kjo është pjesa që e kemi vuajtur më tepër dhe na ka kufizuar edhe në shënimin e golave.

Në ndeshjen me Luftëtarin, çfarë parashikoni?
-Nuk jam parashikues i mirë, jam munduar t’i shoh ndeshjet drejt, pa bërë diferencime nga pozicioni apo organika. vazhdoj në të njëjtën linjë. Nuk ka diferenca në kampionatin tonë dhe është rritur niveli. Këtë e thonë statistikat, ecuria e klubeve tona në Europë. Luftëtari është ekip që ka tre vite në Superiore dhe ka pasur ecuri të mirë. Luajmë në shtëpi, duhet të jemi të kujdesshëm. Shtëpia jonë duhet të jetë e zjarrtë për çdo ekip.

A do ndihmonte një lëvizje në merkato sulmin?
-Nuk e kam menduar diçka të tillë, jemi të përqendruar te ndeshjet. Ky grup e ka potencialin, qoftë edhe sulmi, për të qenë akoma më rezultativ. Sa i takon partnerit, kemi pasur sisteme të ndryshme dhe lojtarët janë munduar të përshtaten qoftë edhe me lëvizjet. Pa dashur të justifikohem, mendoj se çdokush e ka bërë punën mirë, përveç finalizimit. Në momentin që sulmuesi nuk shënon, dalin pyetjet se çfarë nuk po bëhet si duhet. Nëse do shënohej, sulmuesit do shiheshin me një sy tjetër edhe në treg.

Dje u luajt Kukësi-Skënderbeu në fushën tuaj, ndërkohë që edhe kushtet atmosferike janë përkeqësuar. Ju shqetëson gjendja e fushës?
-E ndoqëm ndeshjen, na tha edhe trajneri. E pamë që është rënduar shumë. Çdo ekip që kërkon fitoren e vuan terrenin e rënduar. Do mundohemi t’i harrojmë të gjitha dhe urojmë të mos jetë fusha pengesa jonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *