“Fitorja gjithmonë është e bukur, por kur vjen ndaj një rivali të fortë bëhet edhe më e rëndësishme. Shfrytëzuam momentin e mirë që po kalon ekipi dhe arritëm të merrnim një fitore që ishte me shumë vlerë për ne. Ishte edhe objektivi ynë ky dhe për këtë jam i gëzuar, por edhe për rendimentin, për lojën që po zhvillojnë djemtë dhe për karakterin që po tregojnë. Mbi të gjitha është karakteri”, këto ishin fjalët e para të Armando Cungut në daljen e djeshme mediatike.
Për “SportEkspres.com” dhe televizionet e pranishme, trajneri shkodran foli për shumë tematika. Mes tyre edhe për rëndësinë e triumfit me Skënderbeun. “Ishte e rëndësishme për pikët, për moralin e ekipit, për të kuptuar dhe besuar më tepër këta djem që kanë mundësi të bëjnë më shumë progres. Tani po shijojmë jo vetëm lojën, por edhe pikët e marra”.
Më tej ai foli edhe për Rexhinaldon, për futbollistët që janë aktivizuar këto javë dhe kanë zëvendësuar mungesat e rëndësishme të verilindorëve. Në fund edhe dy fjalë për modulin, që sipas Cungut nuk është çelësi i suksesit.
REXHINALDO – “Ai është lojtar që është munduar të bëjë maksimumin. E ka bërë mirë deri tani dhe natyrshëm që donim të ishte prezent në fushë. Por nuk ishte i gatshëm përgjatë gjithë javës për shkak të disa shqetësimeve. Kishte 2-3 javë që ankohej. Në këto kushte, gjatë javës nuk u stërvit, dhe e pashë të arsyeshme të mos e aktivizoja nga fillimi. Duke parë situatën, që ishim në avantazh dhe kundërshtari po bënte presion, e aktivizova. Sulmuesi i Skënderbeut na krijoi pak problematika, sepse sistematikisht futej mes linjave me gjithë top. Këtë nuk duhet t’ia lejonim. Tereni ishte i butë dhe i lodh shumë sportistët, ndaj mendova të fus një forcë më të freskët. Askush nuk e bën më mirë se Rexhinaldo, pasi e ka në ADN-në e tij të vrapojë pafund dhe të bëjë presing. Kjo ishte arsyeja pse e aktivizova”.
GRUPI I LOJTARËVE – “Jam i kënaqur, po mundohemi të menaxhojmë situatën dhe të marrim më të mirën e grupit dhe të çdo individi. Deri tani jam shumë i kënaqur me grupin. E thashë, dhe realisht dhe me shumë sinqeritet dua t;i falënderoj djemtë për atë që po japin në fushën e lojës”.
MODULI – “Janë përshtatur me këtë sistem loje. E kemi provuar edhe në ndeshjen me Karabakun kur kemi luajtur, pavarësisht se ata janë një ekip shumë herë më i fortë dhe nuk u tërhoqëm mbrapa. Ky është një sistem loje që e kemi luajtur edhe më përpara dhe tregon që ekipi është i aftë për t’iu përgjigjur këtij sistemi. Ekipi po dëfrehet në fushën e lojës dhe po marrim edhe pikë. Nuk duhet t’i thurim lavde apo lapidar sistemit, por duhet t’i thurim lavde djemve. Është karakteri i tyre që bën të luhet futboll. Mund të ndërrosh sa të duash sisteme, mund të bësh edhe më perfektin, por pa karakterin dhe shpirtin e garës nuk vlen asgjë. Kjo është pika e fortë, grupi i djemve të Kukësit”.
VLADIMIR PRENGA