Atalanta pret sonte në mbrëmje Napolin në një sfidë shumë të bukur. Bergamaskët ndodhen në vendin e 11-të me 18 pikë, ndërsa Napoli kërkon fitoren dhe vazhdon ndjekjen në distancë ndaj Juventusit.
Etrit Berisha është rikthyer si titullar tek Atalanta, ndërsa po bën mirë dhe Berat Gjimshiti. Gardiani i kombëtares ka folur gjatë për sajtin zyrtar të klubit, duke u ndalur te ndeshja e sotme, përballjet me Napolin si dhe pritjet më të bukura të tij. Të cilat nuk vlejnë, nëse Atalanta nuk arrin rezultat pozitiv.
Vendasit vijnë nga humbja befasuese kundër Empolit pas avantazhit të dyfishtë, ndërsa Napoli fitoi përballë Cërvena Zvezdës në mesjavë, ndërkohë që kishte barazuar në shtëpi kundër Kievos në ndeshjen e fundit në kampionat.
MOMENTI – “Sigurisht që jemi të zhgënjyer me mënyrën se si shkoi ndeshja me Empolin. Pas avantazhit 0-2, u duk sikur morëm tre pikët e radhës, por më pas nuk e përballuam ndeshjen si në rastet e tjera. Hasëm vështirësi, por kur një ekip e dërgon ndeshjen në 0-2, do të thotë që skuadra është. Mund të kishim fituar me pak më shumë përqendrim. Kemi mësuar që nuk duhet të heqësh dorë kurrë, sepse ndeshjet ndryshojnë nga momenti në moment. Megjithatë, tani e kemi fshirë nga mendja atë ndeshje dhe po mendojmë për Napolin. Ky është një shans për ne dhe është gjithmonë bukur të luash sfida të tilla. Pothuajse e gjithë Italia do e shikojë ndeshjen, një gjë shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Si ne dhe Napoli ndodhemi në formë dhe do të jetë një duel i bukur.”
NAPOLI – “Deri më tani kemi bërë ndeshje të mira kundër Napolit. Kemi fituar dy herë në “San Paolo”: para dy vitesh në kampionat dhe sezonin e kaluar në kupë. E kemi humbur ndeshjen e fundit në shtëpi kundër tyre, por nuk ishte një takim i thjeshtë për të dy ekipet. Na duhet një ndeshje e madhe për të arritur te rezultati. E dimë se Napoli luan shumë mirë futboll, kanë lojtarë që godasin shumë mirë dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Ka dhe raste të tjera kur përballesh me ekipe që kanë një tjetër stil loje. Luajnë me krosime, ose përdorin kundërsulmin. Kur përballesh me ekipe si Napoli, duhet të jesh i përgatitur për çdo lloj situate.”
PUBLIKU – “E ndjejmë shumë mbështetjen e tifozëve, si në stadium ashtu dhe kur takojmë ndonjë në rrugë. Ata na japin një shtysë të madhe. Ata dhe ne ëndërrojmë të rikthehemi në kupat e europës, por për momentin duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshja e radhës. Nuk po luajmë çdo 3 ditë si sezonin e kaluar, kështu që mund të përgatitemi dhe stërvitemi edhe më mirë. Nëse bëjmë një ndeshje me Napolin si ajo kundër Interit shoqëruar me rezultat, mund të na rrisë besimin te vetja.”
ETRITI – “Kur ndodhem në fushë përpiqem të mos ndikohem nga emocionet. Nuk më pëlqen të festoj gjatë ndeshjes, sepse e di se në një çast mund të kalosh nga pozitivja në negative. Është kaq e rëndësishme për mua të jem i përqendruar gjatë 90 minutave, prandaj iu dukem si i ‘ftohtë’.”
PRITJET E BUKURA – “Pritja ndaj Palasios? Sipas këndvështrimit tim, një portier kënaqet kur pritjet e tij shoqërohen me fitore. Kjo është kënaqësia më e madhe. Në atë moment nuk mendova shumë, pashë drejtimin e topit dhe e vetmja mënyrë për ta pritur ishte të veproja në atë mënyrë. Nuk u mendova dy herë, u hodha dhe shkoi mbarë. Një rast i ngjashëm ishte dhe me Kaputon kundër Empolit. Ajo kundër Palasios ishte një ndër pritjet më të bukura që kam bërë, edhe pse ka dhe disa të tjera. Më kujtohet ajo kundër Napolit në të kaluarën. E përsëris, e rëndësishme është të shërbejë për të ndihmuar skuadrën të marrë rezultat pozitiv.”