Andre Shyrle u rikthye sot në “Stamford Bridge” si kundërshtar me Fulhemin e tij. Sulmuesi ishte pjesë e Çelsit në sezonet 2013-2015, ndërsa ai zbulon dhe shkaqet e largimit nga “Blutë e Londrës”.
Trajner i ekipit ishte Zhoze Murinjo, me të cilin Shyrle ka një lidhje të veçantë. Kampioni i Botës po përjetonte një periudhë shumë të mirë, por një helmim i çuditshëm i rrezikoi karrierën.
Probleme fizike dhe psikologjike. Helmimi është një problem i madh për të gjithë, sidomos për futbollistët. 28-vjeçari rrëfen gjithçka për “The Sun”, duke e nisur me helmimin nga pula, që ndryshoi gjithçka. Megjithatë, Shyrle është rikthyer dhe po përjeton një periudhë të mirë me Fulhemin e Ranierit.
“Më bëri dëm një pulë dhe që nga ai moment, nuk kam ngrënë kurrë më pulë në jetën time. Nga e gjitha skuadra u bëra keq vetëm unë. Kjo gjë ndodhi gjatë një transfertë në Poloni. Duke qenë kaq i hollë, humbja e tre, katër, apo pesë kilogramëve ishte një problem për mua. M’u desh shumë kohë për të rifituar energjitë dhe për të marrë veten fizikisht. Ndihesha shumë keq dhe e ndjeja se nuk mund të ngrihesha as nga krevati. Në fund e zbuluam se kishte qenë salmoneloza (infeksioni i salmonelës, sëmundje e zakonshme e bakteriale që dëmton zorrët).”
“Një mëkat, ndihesha në formë dhe kisha besimin e trajnerit. Më pas u bëra keq dhe nuk pata më mundësinë të tregoja vlerat e mia. Kur erdhi mundësia të rikthehesha në Gjermani, Murinjo më lejoi të largohesha. Kur Çelsi fitoi kupën e ligës, Murinjo më dërgoi një mesazh urimi, duke më ftuar të shkoja në Londër për të festuar, sepse, në fund të fundit, kupën e kisha fituar dhe unë. Ishte me të vërtetë një gjest shumë i bukur.”