Fitorja me Zvezdën detyrim, Ançeloti: Do të ishte idiotësi, nëse nuk kalojmë!

Barazimi kundër Kievos në kampionat është hedhur pas krahëve dhe Napoli është përqëndruar në Champions. Ekipi i Ançelotit do të presë sonte në mbrëmje Cërvena Zvezdën në “San Paolo” dhe fitorja është objektivi i vetëm, ose më saktë një detyrim.

Karlo Ançeloti ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me ekipin serb, duke kërkuar përqendrim dhe fitore. Trajneri i Napolit vlerëson kundërshtarin, ndërsa nuk nguron të komentojë dhe situatën te Bajerni i Mynihut dhe trajnerin Kovaç, i cili është afër shkarkimit nga detyra. Karleto përjetoi një situatë të tillë vitin e kaluar dhe kroatin nuk e kupton askush më mirë se ai.

KUALIFIKIMI – “Qëndrimi ynë në fushë duhet të jetë gjithmonë i njëjti, intensitet dhe aplikim. Pas ndeshjes me Kievon diskutuam për gjërat që na munguan dhe nevojitet një qasje e mirë në ndeshje. Kundër Zvezdës është një ndeshje e rëndësishme, por jo deçizive. Nuk duhet ta mbajmë mendjen te ndeshja PSG-Liverpul, por duhet të bëjmë detyrën tonë. T’i lëmë llogaritë për më vonë. Ndodhemi në një pozicion të mirë pas 4 ndeshjeve të para në grup, por është momenti për të përfunduar punën e nisur. Kemi surprizuar deri më tani, nëse kalojmë do të jemi dhe më shumë surprizë. Nëse nuk ia dalim në këtë pikë, do të tregoheshim idiotë.”

CËRVENA – “Ata janë nënvlerësuar si skuadër. Në transfertat e fundit kanë humbur thellë, por fitorja kundër Liverpulit u hapi shanset e kualifikimit. Pres një skuadër të organizuar, gati për të shfrytëzuar kundërsulmet e tyre. Duhet të sulmojmë mirë për të fituar ndeshjen, por dhe të mbrohemi mirë, sepse nuk do të luhet vetëm në një portë.”

TIFOZËT – “Prezenca dhe mbështetja e tifozëve tanë është gjithmonë e rëndësishme. E tillë do të jetë dhe kundë Zvezdës dhe kjo gjë rrit keqardhjen për barazimin e së dielës kundër Kievos. Shpresojmë t’i zbavitim tifozët tanë. Situata e Bajernit? Kam dëgjuar se Kovaç është pranë shkarkimit. Unë jam gjithmonë në krahun e trajnerëve dhe i uroj Kovaç-it të bëjë më të mirën e mundshme. Po përjeton të njëjtat vështirësi që hasa dhe unë. Për mua nuk ishte e thjeshtë, i uroj më të mirën…”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *